21:17 / E Diele, 18 Mars 2018 / indeksADMonline

Këto janë procedurat për liberalizimin e vizave, nëse ratifikohet Demarkacioni

Të martën pritet që përfundimisht t’i jepet fund çështjes së Demarkacionit.

Javën që po lëmë pas u vendosë që seanca të mbahet të martën që vije, duke filluar prej orës 16:00.

Krerët e vendit vazhdimisht po pohojnë se votat për të shtyrë këtë proces përpara janë siguruar.

Ndërkaq, shumë qytetarë të Kosovës po presin që me ratifikimin e Demarkacionit, të bëhet liberalizimi i vizave.

Por, njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, në një prononcim për Indeksonline, ka treguar se procesi i vizave do të mbetet i bllokuar deri pas ratifikimit të Demarkacionit.

Sipas tij, kjo çështje është përdorur vetëm për të bllokuar procesin.

“Pasojat e mosratifikimit të marrëveshjes së demarkimit me Malin e Zi na veç jemi duke i vuajtur aktualisht, për shkak se procesi i liberalizimit të vizave është i bllokuar. Qëndrimi i Bashkimit Evropian deri më tani nuk është paraqitur i drejtë për çështjen e demarkacionit si kriter dhe procesit të liberalizimit të vizave. Demarkacioni si kriter deri më tani është përdorur vetëm për bllokimin e procesit. Pa u ratifiku demarkacioni nuk zhbllokohet procesi i vizave. Vetëm pas kësaj fillon ecja normale e Kosovës në drejtimin final për marrjen e vendimit të vizave”, tha Mazreku.

Mazreku tutje ka sqaruar procedurën e liberalizimit të vizave, në rast të ratifikimit të demarkacionit dhe sfidat që e presin Kosovën pastaj.

“Pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë legale me e përdorë instrumentin për bllokim. Mirëpo fatmirësisht këto pesë shtete nuk e paraqesin 35 përqind të popullsisë së Bashkimit Evropian. Shtet që kanë qëndrime kundër kësaj që quhet politikë e dyerve të hapura, janë për shembull rasti i Çekisë dhe Polonisë. Nëse këtyre pesë shteteve iu bashkohet edhe Polonia e Çekia, atëherë pavarësisht që Kosova ka gjasa me i marr 55 për qind të shteteve të Bashkimit Evropian, procesi mundet me u blloku. Kjo do të thotë se politika e jashtme e Kosovës duhet me lobu në qendrat, përkatësisht në kryeqytetet evropiane, në mënyrë që të sigurohet Kosova që instrumenti bllokues të mos përdoret”, sqaroi Mazreku.

Kujtojmë se krerët institucional kanë deklaruar se ratifikimi i Demarkacioni, është kushti i vetëm i paplotësuar për liberalizimin e vizave./Indeksonline/