13:45 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Komandanti i KFOR-it: Jam i vetëdijshëm për rritjen e tensioneve politike, trajtoni ato qetë

Përmes një kumtese për media KFOR-i ka reaguar në lidhje me aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri, ku pati të arrestuar në lidhje me vrasjen e liderit serb Oliver Ivanoviq, në janar të këtij viti.

“Nuk kishte asnjë veprim të paligjshëm ose aksion ushtarak dhe asnjëherë nuk ka pasur kërcënim për sigurinë e qytetarëve. KFOR konfirmon se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe jo pozicionim i ndonjë force ushtarake në veriun e Mitrovicës. Situata në teren mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll, KFOR-i është i vetëdijshëm se ka tensione në rritje në nivelin politik për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike. Për shkak të situatës politike të ndjeshme, Komandanti i KFOR-it i fton të gjitha palët që mosmarrëveshjet t’i trajtojnë qetë dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës apo dhunës”, thuhet në kumtesën e KFOR-it.

Në fund të kumtesës KFOR-i bën të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e situatës dhe do ta ruajë praninë në terren, me shpresën se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje.

 

Temat: