20:04 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / k.v

KFOR deklarohet për sigurinë në Kosovë, lavdëron Policinë e Kosovës

Gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile. Institucionet e rendit janë në nivel të detyrës që t’u ofrojnë të gjithë qytetarëve sigurinë dhe lirinë e lëvizjes.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso në një prononcim për Indeksonline ka thënë se situata në Kosovë është e qetë dhe stabile dhe se KFOR vazhdon të veprojë brenda mandatit të saj, në mënyrë që të sigurojë një mjedis të qetë dhe të siguroi lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.

“KFOR-i mban marrëdhënie të ngushta dhe shkëmbime të shpeshta të informatave me institucionet në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare dhe për momentin nuk ka tregues se siguria mund të ndikohet”, ka deklaruar Grasso.

Sipas tij, pasi që KFOR arriti në Kosovë në vitin 1999, ata kanë parë një përmirësim të ndjeshëm të institucioneve në Kosovë. Në veçanti, duke folur për sigurinë, zëdhënësi i KFOR-it ka lavdëruar punën e madhe që bënë Policia e Kosovës në këtë aspekt.

“Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet e saj dhe ka demonstruar të jetë në gjendje ta ruajë dhe ta mbajë situatën vazhdimisht nën kontroll në të gjithë territorin e vendit”, ka deklaruar ai.

Zëdhënësi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it ndër të tjera ka deklaruar se KFOR-i çdo ditë po monitoron dhe merr në konsideratë çdo çështje që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

“Jemi duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in dhe jemi të gatshëm të reagojmë në rast të ndonjë incidenti të madh, së bashku me organizata të tjera ose në mënyrë autonome”, ka thënë Grasso./Indeksonline/