15:58 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

KFOR: Siguria në Kosovë e qetë, s’ka indikacione për përkeqësim të situatës

Të shtunën në mëngjes, liqeni i Gazivodës (Ujmani) në veri të Kosovës, është mbikëqyrur nga forcat ushtarake amerikane që veprojnë në kuadër të KFOR-it. Kjo pas thirrjeve të priftit serb, Sava Janjiq i cili ka thënë se situata në veri mund të eskalojë për arsyeje të ndryshme.

Mirëpo, në një përgjigje me shkrim për Indeksonline, zyrtarë nga KFOR-i kanë bërë të ditur se nuk ka pasur tentim për të bllokuar këtë digë dhe se KFOR vetëm ka kryer detyrën e tyre për të cilën thirrën.

“KFOR po kryen detyrën e saj normale nën mandatin e rezolutës 1244. Nuk ka bllokim të digës së Gazivodës, KFOR-i nuk ka marrë kontrollin mbi digën dhe ndonjë hidrocentral. Situata është e qetë dhe nën kontroll. KFOR është këtu për të mbrojtur të gjithë qytetarët në Kosovë”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Nga zyra për informim publik të KFOR-it kanë theksuar se gjendja e sigurisë është e qetë në tërë Kosovën. “Situata është e qetë dhe e qëndrueshme në tërë Kosovën”, janë shprehur tutje në përgjigjën për portalin.

Të pyetur nëse ka tendenca për përkeqësim të sigurisë, ata kanë shtuar se deri me tani nuk ka dëshmi në drejtim të kësaj çështje. Zyrtarë nga KFOR kanë thënë se ky mision është i gatshëm për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Për momentin nuk kemi dëshmi për këtë. KFOR-i është gjithmonë i gatshëm për të siguruar një mjedis të sigurt dhe siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë në përputhje me mandatin e tanishëm”, kanë shtuar në fund.

Gazivoda është liqeni më i madhi në Kosovë me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe thellësinë maksimale prej 105 metrash./Indeksonline/

Liqeni i Kosovës që po tenton ta marrë Serbia, po ruhet nga forcat amerikane (Foto)