17:21 / E Hënë, 05 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kicker: Katër yjet e Bayern Munich kundërshtojnë Kovac

Bayern Munich pësoi ”shok” sërish të shtunën nën urdhrat e Niko Kovac, kur barazoi me Freiburgun në ”Allianz Arena” me rezultat, 1-1.

Ky barazim befasues e shton edhe më shumë presionin te Kovac, në sezonin e tij debutues te klubi bavarez.

Bayerni është katër pikë mbrapa Dortmundit në renditjen tabelare, teksa të dyja skuadrat përballen në fundjavën e ardhshme në ”Signal Iduna Park”.

Tani, e përditshmja gjermane, Kicker shkruan se katër lojtarë të skuadrës së parë – Mats Hummels, Arjen Robben, Franck Ribery dhe Thomas Muller – janë të zhgënjyer me metodat e trajnerit kroat, transmeton IndeksOnline.

Minutazhi i tyre këtë sezon është reduktuar nga Kovac, për shkak të rotacioneve të shpeshta nga ai.

Gruaja e Muller, madje, e ka kritikuar Kovac në rrjetet sociale pasi e la sulmuesin gjerman në stol në ndeshjen ndaj Freiburgut.

I zhgënjyer, pra, është edhe Robben, i cili ka luajtur vetëm pesë herë nga 90 minuta në 13 ndeshje këtë sezon.

Para ndeshjes me Dortmundin, Bayerni përballet me AEK Athens në Champions League në një javë e cila mund ta vendosë fatin e Kovac./IndeksOnline/