13:14 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Kjo është biografia e drejtorit të ri të Burgjeve, Nehat Thaçi

Me Vendim të Qeverisë së Kosovës, Nehat Thaçi sot është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kolonel Thaçi deri tani ishte drejtor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, pozitë kjo të cilën e ushtronte nga viti 2011, shkruan Indeksonline.

Shkollimin e mesëm e kreu  në shkollën e mesme “Ulpiana” në Lipjan, drejtimi “Matematiko-Natyrorë”. Ai ka përfunduar studimet në drejtimet “Kriminalistikë” (bachelor) dhe “Juridik” në Universitetin AAB, derisa vazhdon akoma të studioj në Universitetin e Prishtinës, fakulteti Ekonomik.

Sa i përket përvojës policore, Thaçi hyn në gjeneratën e katërt të Policisë së Kosovës, duke diplomuar më 27 mars të vitit 2000.

Nga diplomimi ai ishte polic patrullues në Stacionin policor në Lipjan, kurse në vitin 2001 u emëruar udhëheqës ndërrimi në sektorin e patrullës në po këtë stacion.

Në vitin 2012, Thaçi u bë zëvendëskomandant në Stacionin policor të Lipjanit, për të kaluar në vitin 2003 në Stacionin policor të Suharekës, si komandant i stacionit.

Pas dy vitesh, më 2005 ai u kthye përsëri në stacionin policor të Lipjanit, tani si komandant i stacionit, por po atë vit nisi të punoj në Administratën e Policisë së Kosovës.

Në vitin 2006, ai u emëruar zëvendëskomandant rajonal në Mitrovicë, për të kaluar menjëherë në zëvendëskomandant rajonal për operativë, komanda rajonale në Ferizaj.

Pas tri vitesh, më 2009 Thaçi bëhet drejtor rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare të veriut, për t’u  bërë drejtor rajonal në Policinë e Mitrovicës, pozitë të cilën e kishte deri tani.

Në karrierën e tij, Thaçi nisi të gradohet qysh më 29 qershor të 2001-tës kur u bë rreshter, pastaj mori gradën e togerit më 30 maj të 2002-tës.

Pas një viti, më 23 shtator të 2003-tës, ai u bë kapiten, kurse më 6 maj të 2005-tës u bë me gradën major. Para 12 vitesh, më 17 shkurt të 2006-tës, Thaçi gradohet si nënkolonel.

Ai bëri edhe vizita studimore jashtë vendit nga viti 2003. Ai e nisi me vizitën në Gjermani, për të vazhduar me SHBA-të, Poloninë, Turqinë dhe Irlandën e veriut.

Drejtori i porsaemëruar kreu edhe trajnime të shumta. Më 2000-tën ai mbajti një kurs bazik, më 2001 kreu kursin e vozitjes  bazike, kursin e vijës së parë të mbikëqyrjes, atë për dhunë familjare, kursin e gjuhës angleze, menaxhim dhe komunikim, trajtimin për planifikim operativ etj.

Po ashtu, Thaçi mori mirënjohje e medalje nga zyrtarë e institucione si nga UNMIK-u, KFOR-i, drejtori i përgjithshëm i policisë, medalje për shërbim të besnikërisë, letërfalendërim nga EULEX-i, ambasada amerikane etj.

Në biografinë e tij figuron se ai di punën me kompjuter, ka njohuri për gjuhën angleze dhe atë serbo-kroate.

Thaçi ka lindur më 1 dhjetor të 1976 dhe është i martuar. /Indeksonline/