Zgjidh gjuhën

Kjo është shuma marramendëse që partitë shpenzuan për zgjedhjet e 11 qershorit

Partitë politike për zgjedhjet e 11 qershorit kanë shpenzuar miliona euro, ku prin koalicioni PAN me 1 milion e 717 mijë e 155 euro, koalicioni LAA me 1 milion e 94 mijë e 76 euro dhe Lëvizja Vetëvendosje me 359 mijë e 929 euro.

Kështu u tha sot me rastin e prezantimit të raportit “Sa shpenzuan partitë politike për zgjedhjet e 11qershorit”, nga organizata jo qeveritare Çohu! dhe Demokracia  Plus.

Genc Nimoni nga Çohu, tha se gjatë analizës janë ndalur kryesisht në dy koalicionet e mëdha që kanë qenë në zgjedhjet e 11 qershorit, PAN dhe LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa theksoi se edhe pse kanë kërkuar të kenë qasje në raportet financiare të subjekteve politike  një gjë e tillë nuk iu është mundësuar.

“Ne gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur mundësi t’i mbulojmë të gjitha komunat dhe televizionet. Janë 15 komuna të pa monitoruara. Ne kemi kërkuar nga subjektet politike t’i marrim raportet financiare mirëpo nuk kemi arritur të qasemi në to për shkak të KQZ-së dhe partive politike”, tha ai.

Isuf Zejna nga D +, tha se në këtë raport janë analizuar shpenzimet duke përdorur një metodologji të kombinuar e cila ka përfshirë shpenzimet e subjekteve në media, tubime elektorale, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe shpenzimet në terren, ku është vërejtur se PAN prin në shpenzimet për media. Sipas tij, interesimi i partive politike për gazetat ditore ka rënë.

Të fundit nga IndeksOnline