20:28 / E Martë, 11 Gusht 2020 / C E

Klubet kundër FFK-së për të drejtat televizive: Nuk na kanë pyetur, mund t’i shesim individualisht

Mënyra e hapjes se ofertës për të drejtat televizive të Superligës së Kosovës në futboll dhe kriteret e vendosura në të, duke përjashtuar operatorë të tjerë rajonal apo dhe kombëtarë, ka bërë që shumica e klubeve të Superligës të shfaqin pakënaqësinë e tyre ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës.

Madje, ata kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët ku është diskutuar kjo çështje dhe kanë adresuar problemin, i cili ndikon direkt në të ardhurat e klubeve nga të drejtat televizive. Në emër të familjes Batatina që drejtojnë klubin e Llapit foli Tahiri, i cili  shfaqi arsyen e pakënaqësisë e tij dhe klubeve të tjera.  

“Ne kemi parë që janë vënë disa kritere për të drejtat televizive për edicionin e ardhshëm dhe bashkërisht me kryetarët e klubeve si Prishtina, Trepça ’89, Llapi, Feronikeli, Ballkani, Drenica, kemi diskutuar edhe me krerët e Gjilanit, që të kërkojmë të mos u mohohet pjesëmarrja në garë mediumeve të tjera, të cilat mund të ndihmojnë më shumë me mjete financiare, duke ditur se kosto financiare e klubeve është rritur shumë. Interesi jonë dhe i të gjitha skuadrave është që të ketë sa më shumë konkurrentë në tender dhe të mos penalizohen mediat e tjera siç është Digitalbi në këtë rast.

Sa ishte i ndjeri Fadil Vokrri këto çështje i ka zgjidhur bashkërisht me klubet. Në këtë formë të mundohet të largohet një medium i cili ka promovuar shumë lojtarë në arenën ndërkombëtare dhe një medium të cilin e shikon e gjithë bota për një media tjetër që ndoshta nuk e ka audiencën e gjerë nëpër Evropë e të na e marrin të drejtat tona televizive është e padrejtë. Është e pakuptimtë dhe jo korrekte që vendos dikush tjetër për këto të drejta. Dhe ne bashkërisht me kryetarët e klubeve kemi rënë dakord të bisedojmë dhe nëse FFK merr vendim të njëanshëm, ne do të kërkojmë që të bëjmë marrëveshje individuale me ndonjë medium tjetër jashtë atij mediumi të cilit do t’ia jap të drejtën FFK. Sepse, FFK është dashur që të ftojë të gjithë kryetarët e klubeve për të parë se si ka shkuar gjithçka gjatë këtyre viteve dhe t’iu mundësohet edhe mediumeve të tjera të cilat i plotësojnë kushtet dhe kriteret e transmetimit”, ka thënë Batatina.

Pas takimit, edhe Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka është i befasuar se si ndryshoi mënyra e hapjes së tenderit pa i ftuar klubet në diskutim.

“Kur ka qenë legjenda Fadil Vokrri kryetar, gjithmonë është takuar me  kryetar të klubeve për t’u konsultuar në lidhje me të drejtat televizive dhe për të bërë ma të mirën që të përfitojnë klubet sa më shumë. Unë jam i  habitur se si nuk kemi marrë as një ftesë dhe asnjë grumbullim nga krerët e FFK-s për të gjetur rrugën më të mirë të mundshme. Tashmë siç dihet, pandemia ka bërë që shikues të mos ketë në stadium, çmimi i futbollistëve është rritur, ndërsa edhe të drejtat televizive po shkojnë në rënie. Në qoftë se një ankand publik bëhet me shumë ofertues për të blerë të drejtat televizive, atëherë çmimi do të ishte më i lartë.

Ndërsa tani sipas informatave që kemi, me kriteret e vendosura nga FFK disa mediave i është hequr e drejta e konkurrimit, atëherë çmimi do të bjerë. Unë flas për Trepçën ’89 dhe nuk jam i interesuar që të drejtat televizive t’i shes sa dëshiron dikush tjetër, madje këtë e diskutuam bashkërisht me 6 klube në takimin e sotëm. Unë mund të them se kjo është një e padrejtë që po na bëhet neve sepse interesi është të ketë sa më shumë televizione dhe çmimi të shkoj së më lartë. Është e pakuptimtë se si një media që na ka ndihmuar kaq shume vite duke transmetuar ndeshjet tona përmes Digitalbit kur nuk ka pasur asnjë interesim për Superligën në kohën kur nuk kemi qenë të pranuar, tani sipas informacioneve që kemi nuk ka të drejtë të konkurrojë, atëherë ne pyesim pse? Kujt po i pengon kjo? Kjo do të thotë se në këtë mënyrë FFK nuk dëshiron t’i pasurojë klubet por t’i varfërojë ato.

Unë shpresoj që FFK të mirëkuptoj situatën dhe të anulojë tenderin sepse ne klubet nuk e përkrahim. Duam të jetë një garë e hapur, për të gjithë njësoj, të caktohet një komision nga klubet që të shikohet se çfarë çmimi dhe kushte kanë ofruar operatorët dhe pastaj të vendoset. Ne jemi në përpjekje që të marrim një çmim sa më të lartë”, deklaroi Zeka për SuperSport, duke shtuar se është shqyrtuar edhe mundësia që klubet e pakënaqura mund të bëjnë marrëveshje individuale me operatorë mediatikë të cilët ofrojnë më shumë para.

Federata e Futbollit të Kosovës me kriteret e vendosura në tenderin e të drejtave televizive po tenton të përjashtojë çdo operator tjetër nga jashtë Kosovës, përfshirë këtu edhe operatorin Digitalb, që përmes SuperSport ka transmetuar Superligën e Kosovës në 8 vitet e fundit. Rreth shkeljeve që janë bërë në tender, Digitalb ka dërguar ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës, në UEFA dhe në gjykatën përkatëse.