11:42 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

KMDLNj: Kosova të mos ndërhyjë në luftën mes Erdoganit dhe Gulenit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me arrestimin e pesë shtetasve turq sot nga Policia.

KMDLNJ me anë të këtij reagimi thotë se autoritetet kosovare me arrestimet që i bënë sot qartazi po rreshtohen në anën e regjimit aktual në Turqi që me këmbëngulje po kërkojnë që të arrestohen  dhe deportohen në Turqi të gjithë ata që cilësohen si gylenistë.

“Kohë më parë në Prizren ishte arrestuar një shtetas turk i kërkuar si përkrahës i Fetyllah Gylenit, ishte mbajtur në burg për një kohë dhe pas reagimit të KMDLNj-së , organizatave të tjera si dhe presionit të opinionit publik ishte liruar me dorëzani”, thuhet në reagim.

KMDLNj edhe atëherë ka kërkuar sikur që kërkon edhe tani që Kosova të mos ndërhyjë në luftën midis Erdoganit dhe Gylenit të mos arrestojë qytetarë turk , përkrahës të Gylenit , të mos mbyllë kolegje që kanë punuar për vite të tëra në Kosovë për shkaqe politike e sidomos mos t’i deportojë të arrestuarit në Turqi shkaku se atje nuk mund të kenë as trajtim të drejtë e as gjykim të drejtë dhe se deportimi i përshpejtuar duke iu nënshtruar kërkesave të autoriteteve turke është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe Kosova në asnjë mënyrë nuk guxon të rreshtohet në anën e shkelësve të drejtave të njeriut ndërkaq që çështja e deportimit është e rregulluar me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare andaj ato duhet të përfillen në përpikmëri.

KMDLNj e kundërshton arrestimin e shtetasve turq në Kosovë për shkaqe politike dhe e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje për ekstradim në rrethana ekzistuese. Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit , Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut.