16:04 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Kolona të gjata të veturave – QKUK tregon arsyen!

Në hyrjet dhe daljet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po krijohen kolona të gjata automjetesh në kohë të ndryshme.

Kështu, sot disa qytetarë kanë hasur në vetura të shumta të parkuara në vende të ndryshme, për dallim nga ditët tjera. Mirëpo, lidhur me këtë çështje zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka treguar arsyen se pse ndodhin këto.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se tollovia e veturave në oborret e kësaj qendre bëhet vetëm për arsye të ndërrimit të orarit të stafit të punëtorëve.

“Orari i punës së paradites për punëtorët e QKUK përfundon në ora 15:00 dhe kjo është arsyeja pse në dalje mund të duken më shumë vetura, meqë punëtorët dalin. Kjo është e zakonshme kur dalin punëtorët në orën 15:00, ku edhe rrethrrotullimi kryesor afër Hotel Viktoria është i ngarkuar”, është shprehur Fazliu.

Ndryshe, që nga data 6 nëntor e vitit të kaluar QKUK ka nisur aplikimin e pagesave në hyrje-daljet e QKUK-së. Vendosja e laurave digjitale kësaj Qendre i ka sjell përfitime qindra mijëra euro./Indeksonline/