75 Mall Live Search
18:04 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Trafiku i Prishtinës i tollovitur, asnjëherë i zgjidhur

Në Prishtinën e vitit 2018 është pothuajse e pamundur të qarkullosh me veturë në një trafik normal. Nuk mund të kryesh kurrë punë në kohë e bile edhe të sëmuret nëpër autoambulanca e kalojnë si nëpër ferr rrugën deri në Qendrën Emergjente Klinike Universitare.

Në fakt, tollovia nuk fillon vetëm në qendër. Kolona të gjata ka në të gjitha rrugët periferike e kryesore që të çojnë në Prishtinë.

Që nga paslufta, zor se mund të gjesh kryetar komune të Prishtinës, ministra infrastrukture e edhe kryeministra që nuk kanë premtuar se në mandatin e tyre do të zgjidhet problematika e tollovisë në trafik. Që të gjithë erdhën me ide, shpenzuan miliona, dhanë tenderë e prapë kërkuan mandate tjera. Por, që të gjithë dështuan të zgjidhnin problemin.

Më 17 prill të vitit 2017, ditën kur filluan punimet në Veternik, në tenderin që bashkë me disa punime në pjesë tjera të qytetit kapte vlerën e 9 milionëshit, kryeministri i asaj kohe Isa Mustafa premtonte se është një projekt shumë i rëndësishëm për funksionalizimin e kryeqytetit.

“Është një hyrje e cila do të jetë madhështore jo vetëm në pamje, por do të jetë madhështore edhe në pikëpamje të funksionimit, sepse tani kemi dy rrugë me nga katër korsi dhe me gjithë infrastrukturën tjetër për këmbësorë dhe për biçiklistë. Edhe pjesa tjetër e ndërtimit të rrugës deri të udhëkryqi te Pallati i Drejtësisë është një hap shumë i rëndësishëm, sepse shënon fillimin e unazës për Prishtinën, e cila më vonë mund të lirojë qarkullimin e automjeteve për qytetin e Prishtinës dhe vazhdimin e unazës ashtu siç ka qenë e paraparë me projekt”, kishte thënë ish-kryeministri Mustafa.

“Është një investim prej tre milionë euro dhe veç kësaj e njoftova kryeministrin që ne kemi filluar lirimin e rrugëve të Prishtinës, apo trafikun për të gjithë qytetarët”, vazhdonte premtimin Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

E një nga premtimet kryesore të Shpend Ahmetit gjatë fushatës për ta marrë drejtimin e Prishtinës, ishte pikërisht zgjidhja e problemit të trafikut të mbingarkuar. Ahmeti premtonte se me 51 autobusë të rinj dhe me disa projekte rrugore problemi do të zgjidhej.

“Intervenimet infrastrukturore që do të bëhen gjatë mandatit të ardhshëm dhe caktimi i rrugëve njëkahëshe, do të mundësojë që shumë më shpejtë të arrihet nga një pikë në pikën tjetër brenda qytetit. Në 5 hyrjet kryesore të Prishtinës, do të ndërtohen hapësirat për konceptin “Park & Ride”. Aty do të ketë hapësirë të mjaftueshme për parkim, dhe do të caktohen vendet nga ku nisen autobusët. Kjo ndikon në efikasitetin e lëvizjes brenda Prishtinës, me ç’rast qytetarët do t’i parkojnë veturat e tyre, dhe do të shfrytëzojnë autobusët me të njëjtën pagesë për dy orët e ardhshme”, thoshte Ahmeti para një viti.

As njëri e as tjetri nuk e zgjodhën problemin. Si duket, problemi vetëm po zgjerohet e rrugët dhe trotuaret po ngushtohen. Prishtina vazhdon të mbingarkohet nga vetura të cilat jo vetëm që shkaktojnë tollovi nëpër rrugë, por edhe lëshojnë helm për ambientin. Dhe, kryetari e ministri vazhdojnë të mundohen t’ua mbushin mendjen qytetarëve se ky problem do të zgjidhet.

Deri sa politikanët të vazhdojnë të premtojnë e të zgjerojnë rrugët kryesore, vetura që ecin nëpër trotuare do të vazhdojmë të shohim çdo ditë. Zgjidhja ende nuk po gjendet ndërkaq qytetarët do të vazhdojnë të vozisin në një katrahurë komunikacioni. Por, mos të harrojmë se ata që premtuan zgjidhje duhet t’i mbahen përgjegjës dhe të japin llogari. Kryeqyteti nuk guxon të mbetet pa të zotin i cili duhet të dalë me zgjidhje adekuate. Ai duhet t’ua lehtësojë jetën qytetarëve e jo t’ua stresojë atë deri në pafundësi./Indeksonline/