16:22 / E Enjte, 21 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Komisioneri i VV-së flet për përplasjen me atë të Nismës: S’pati konfrontim fizik – kërcënonte vëzhguesit e QNR-së

Ka ndodhur një përleshje fizike midis vëzhguesve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot në mëngje, në Fushë Kosovë.

Burimet e Indeksonlinet brenda QNR-së kanë thënë se një vëzhgues i Lëvizjes Vetëvendosje është përleshur me një një vëzhgues të Nismas Socialdemokrate.

QNR-ja ka përjashtuar të dy vëzhguesit derisa t’ shohë pamjet e kamerave se si ka ndodhur rasti.

Vëzhguesi i Nismas, Endrit Zabërgja ka thënë për Indeksonlinen se është sulmuar nga vëzhguesi i VV-së pasi mbrojti një fletëvotim të rregullt e të cilin vëzhguesi i VV-së u mundua ta shpallte të pavlefshëm.

Mirëpo, këto akuza i ka hedhur poshtë komisioneri i VV-së, Valon Hoti.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook, shkruan se “Lëvizja Vetëvendosje me vëzhguesit e saj nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që vota dhe vullneti i qytetarëve të tjetërsohet”.

“Votën dhe vullnetin e shprehur me 6 tetor do ta ruajmë me çdo kusht. Ata që kanë vjedhur deri tash Kosovën me tenderë, me afera korruptive, me kilentelë tash po duan të ndërhyjnë në vota që po ju duhen për mbijetesë politike. Populli i ka ndëshkuar dhe kjo e vërtetë nuk mund të mohohet”, shkruan ai.

Hoti, shkruan se “në këtë lloj presioni u gjenda edhe unë si vëzhgues me ç’rast nipi i kryetari të Fatmir Limajt filloi të më fyej në baza familjare, dhe unë i reagova, mirëpo aty nuk pati asnjë konfrontim fizik”.

“Tendenca për t’u viktimizuar vjen vetëm pasi po i njëjti po kërcënonte vëzhguesit e QNR-së. Ne jemi të vendosur të mbrojmë votën cilado qoftë ajo dhe ashtu do të vazhdojmë”, shkruan Hoti./Indeksonline/