14:06 / E Mërkurë, 24 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kompozitori Koci nderohet me një çmim të rëndësishëm

Kompozitori i njohur Akil Koci ka fituar Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore ”Niketë Dardani”.

Kocit i është ndarë çmimi nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Gashi.

Fituesi i këtij çmimi kompozitori  Koci është shprehur shumë falënderues për këtë çmim, ku siç tha ai për të sot është ditë fantastike.

“Nuk e kom prit, se kom menduar që kom kaluar në harresë, se qe 30 vjet nuk jam këtu, kam qenë në diasporë, megjithatë kam dhanë kontribut edhe atje. Kjo ditë për mu është me të vërtetë ditë fantastike e gëzimit se kolegët e mi, që meritojnë ndoshta edhe më mirë se unë, tu fillu prej Kristë Lekës e Fahri Beqirit e të tjerë, nuk më kanë harru edhe besoj se ata do të vijnë shumë shpejt në këtë vend ku jam unë. Përshëndes dhe falënderoj shumë Ministrinë që krijuesit tanë të cilët kanë dhënë kontribut jo të vogël, tu fillu prej festivaleve të Jugosllavisë dhe të Evropës, festivalin e UNESCO-s në Paris dhe të tjerë, por nuk jam i vetëm…. Edhe një herë falënderoj  gjithë, sidomos  studentët e mi, Valtonin e të tjerë, të cilët nuk më kanë harru me kontributin që kam dhanë”, tha Koci.

Ai ka kërkuar nga ministri Gashi që edhe më tej të ketë mbështetje më të madhe për të gjithë krijuesit e fushës muzikore.

Ministri i Kulturës tha se  kjo ceremoni është organizuar për të nderuar krijuesit dhe talentët në Kosovë,  për punën që kanë bërë me vite të tëra.

“Ne si shtet ndihemi  zakonisht krenar me punën që keni bërë në vazhdimësi në të gjitha etapat, në të gjitha periudhat. Dhe është shumë moment i rëndësishëm, historik që ka ardhur momenti, ka ardhur koha, rrethanat që ne ta vlerësojmë punën e juaj. Jo vetëm ajo pjesa ku ne vlerësojmë financiarisht, po veçanërisht e vlerësimeve që po bëjmë, sepse puna e krijimtaria nuk paguhet asnjëherë me vlera monetare. Kështu që jam shumë falënderues, mirënjohës edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në emër tim personal që po bëni një punë jashtëzakonisht të mirë në fushën e muzikës”, tha Gashi.

Gashi tha se kanë emëruar një juri profesionale, për ndarjen e këtyre çmimeve.

Njëri nga anëtarët e jurisë  Valton Beqiri ka arsyetuar  ndarjen e këtyre çmimeve, duke lexuar edhe një biografi për Akil Kocin.

Në këtë ceremoni janë ndarë edhe çmime tjera vjetore për muzikë.

Kristë Lekaj ka marrë çmimin për veprat vokalo- instrumentale dhe muzikore-skenike, në vlerë prej pesë mijë euro.

Çmimi për veprat orkestrale-simfonike dhe koncertale, kompozitorit Mendi Mengjiqi, në vlerë prej katër mijë eurove.

Çmimi për vlerën kamertale iu nda kompozitorit Ardian Halimi, dhe u shpërblyer me dy mijë euro. Për vlerat korale, çmimi iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj dhe për veprat solistike Blondi Krasniqi.