18:49 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Konfirmohet edhe nga Moska: Gënjeshtra të kulluara raportimet për ndarje të Kosovës

Krerët e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur asnjë marrëveshje mbi Kosovën gjatë Samitit të Helsinkit dhe se raportet që flasin për ndarje të Republikës së Kosovës janë gënjeshtra të kulluara. Kështu raporton mediumi beogradas, B92.

Ndër të tjera, gazeta elektronike serbe ka publikuar një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë e cila është deklaruar për rastin në fjalë.

“Në artikullin e botuar nga një medium në Kosovë, ku është thirrur në burime diplomatike në SHBA, me përgjegjësi të plotë argumentojmë se është keqinformim i madh”, thuhet në deklaratën e MPJ-së në Moskë.

Kësisoj, Rusia është zotuar se do ta mbështet  edhe në vazhdim procesin përfundimtar të bisedimeve të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Besojmë fuqishëm se do të ketë zbatim të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut”, thuhet në komunikatën e diplomacisë ruse.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar dje se pas dy muajsh do t’i drejtohet popullit të tij për çështjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Republikës së Kosovës.

Mesi i Shtatorit është periudha kur numri një i Serbisë do ta jap qëndrimin e shtetit të tij karshi Prishtinës zyrtare. Deri këtë kohë, Vuçiq thotë se do të luftojnë me çdo mjet për të fituar betejën politike karshi Kosovës, transmeton Indeksonline

“Unë kërkoj një kompromis, në mënyrë që fëmijët tanë të mos kenë telashe në të ardhmen për këtë cështje”, është shprehur ai.

Vuçiq ka folur disa fjalë edhe për opinionet e fundit rreth shkëmbimeve të territoreve. “… askush nuk na ofroi një ndarje”, ka thënë ai.