12:48 / E Diele, 18 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kongresmeni amerikan: Kosova duhet ta ketë armatën e saj, krahë për krahë me ShBA-në

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka theksuar miqësinë që ka SHBA-ja me Kosovën.

Ai në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka thënë se vendi duhet të reflektojë mbi atë që ka arritur për 10 vite.

Ndërkaq, Engel ka folur rreth krijimit të Ushtrisë duke thënë se Kosova ka nevojë për një armatë që do të jetë krahë për krahë me SHBA-në për ta ndihmuar paqen.

“E di tragjeditë e viteve `99. E di që ka pasur një dekadë për pritjen për pavarësinë. 10 vjet më vonë ka gjëra për të punuar por duhet të reflektojmë mbi atë se si kemi ardhur deri këtu. Ka pasur njerëz që kanë thënë se Kosova kurrë nuk do të jetë vend i pavarur, por nëse e shihni se ku ka qenë ky vend dhe ku po shkon e sa ka arritur unë them përnjëmend urime ditëlindjen Kosovë. Janë gjëra që duhet të bëhen me muaj apo dekada më vonë dhe duket sikur vendi nuk po ecë shpejtë përpara sic do të dëshironim por unë si vizitor shoh përparimin. Kam qenë nëpër tërë botën si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme por askund në botë nuk ka miq SHBA-ja, sic ka në Kosovë. Ky vend duhet ta ketë një armatë krahë për krahë me SHBA-në për ta ndihmuar paqen në botë. E dua popullin e Kosovës. Ma kanë bërë jetën edhe më të pasur, prandaj është nder për mua që jam këtu në përvjetorin e 10-të dhe pres me padurim të punojmë edhe në 10 vjetët e ardhshme”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.