Kontrabandoi sirianë sepse i erdhi keq për ta, arrestohet kosovari në Gjermani
Policia federale gjermane ka akuzuar një kosovar, i cili ka transportuar në mënyrë të paligjshme disa njerëz përtej kufirit, me një veturë të regjistruar në Zvicër.
Kontrabandisti i dyshuar u identifikua të premten (28 shtator), në pikën kufitare në autostradën B2 në Mittenwald, me pasaportën e tij kosovare dhe një leje qëndrimi italian, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Albinfo.ch. Pesë shoqëruesit e tij, në mesin e të cilëve edhe dy të mitur, nuk kanë pasur fare dokumente. Sipas të dhënave të tyre, bëhet fjalë për pesë shtetas sirianë.
Të gjashtë pasagjerët u dërguan në stacionin e Policisë federale në Rosenheim. Atje hetimi filloi me dyshimin për kontrabandë.
Gjatë marrjes në pyetje, kosovari fillimisht pohoi se sirianët i kishte takuar në një pikë karburantesh në Austri dhe i kishte marrë nga keqardhja e madhe.
Megjithatë, gjatë intervistës u fut në kontradikta dhe më në fund pranoi se gjithçka kishte shpifur. Siç kanë konstatuar hetuesit e Policisë federale, shtetasit sirianë ishin futur në veturë që në Itali. Për transportimin e tyre në Gjermani, dyshohet se ai ua ka marr 1.600 euro.
Shtetasit sirianë u transferuan në një qendër strehimi për refugjatë. Vozitësi i veturës, i cili ka një qëndrim të përhershëm në Itali, me urdhër të gjykatësit hetues është paraburgosur gjatë të shtunës. Ai së shpejti do të duhet të përgjigjet për kontrabandimin e të huajve.