22:04 / E Diele, 25 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Korrieri hap dyqan brenda gjimnazit në Ferizaj

Brenda objektit të gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj ndodhet një dyqan i gjërave ushqimore.

Sipas informacioneve që ka siguruar Indeksonline, pronar i këtij dyqani është një punëtor i stafit teknik të shkollës, i cili është i punësuar si korrier. Sipas këtyre informacioneve, faturat e rrymës, ujësjellësit dhe higjienës të këtij dyqani paguhen me buxhetin e shkollës.

Madje, sipas këtyre informacioneve, të njëjtit person nga drejtori i shkollës, Enver Azemi i është hapur një zyrë e improvizuar paralel me zyrën e sekretarit të shkollës brenda se cilës zyrë imponohen shumë punë dhe aktivitete shkollore të cilët nuk janë në kompetencë të një korrieri.

Kjo zyre është e pajisur edhe me kompjuter ku gjysma e kompetencave dhe punëve që i takojnë sekretarit të shkollës janë bartur në këtë zyrë, duke pasur mundësi që të përdoret edhe vula e gjimnazit.

Sa i përket dyqanit në hapësirat e këtij objekti shkollor, e ka konfirmuar edhe drejtori i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Afrim Llabjani, duke thënë se një praktikë e tillë nuk ndodhet vetëm në këtë shkollë, por edhe në shkolla tjera.

Sipas tij, kjo gjë është trashëguar nga pushteti i kaluar dhe se ata tani janë duke u munduar të rregullojnë këtë çështje përmes një projekti.

Por, ai thotë se nuk është në dijeni se kush është pronari i dyqanit dhe këtë çështje e kanë lënë ta shqyrtojnë.

“Janë çështje të cilat i kemi trashëguar nga ish pushteti, do të thotë që i ka lejuar disa defekte të tilla nëpër shkolla. Ne tani jemi në proces të përfundimit të një projekti që ka të bëjë me sigurinë nëpër shkolla, me partneritet publiko-privat dhe mendojmë se përmes kësaj do e rregullojmë këtë çështje. Nuk e kam shumë të qartë se kush e ka atë të them të drejtën sepse ne e kemi lënë ta shqyrtojmë këtë çështje dhe nuk  e di që e ka dikush nga shkolla aty”, ka thënë Llabjani.

Ndërsa, sa i përket zyrës së improvizuar për këtë punëtor teknik, ai thotë se personi në fjalë është një punëtor jashtëzakonisht i mirë dhe se kontribuon shumë në procesin mësimor.

Por, ai nuk beson se të njëjtit person i lejohet të përdoret vula e shkollës.

“Unë e di që korrieri i shkollës është një punëtor jashtëzakonisht i mirë. Ai mund të ketë një zyre ku kujdeset për fotokopjen kryesisht për shkak që ajo të  mos përdoret nga shumë mësimdhënës dhe ndonjëherë të mos bëhen edhe fotokopje të panevojshme, kurse për gjërat e tjera ai është jashtëzakonisht aktiv që e ndihmon bukur mirë procesin mësimor në shumë drejtime. Ai merret me punët e veta por në të njëjtën kohë ai kujdeset edhe për çështjet tjera teknike, sepse atë e ka edhe detyrë të kujdeset për gjërat që kemi nevojë. Por, nuk besoj që ai përdor edhe një vulë të shkollës, pasi udhëheqësit e kanë një detyrë të tillë”, ka shtuar ai.

Pasi Indeksonline ka kontaktuar me zyrën e arsimit në Ferizaj, ka pasur reagime nga Policia e Kosovës.

Të njëjtit pak ditë më pas kanë vizituar shkollën në fjalë duke shqyrtuar kioskën  e cila funksion brenda hapësirave të gjimnazit dhe lidhur me këtë kanë njoftuar edhe kryeshefin e drejtorisë komunale të inspeksionit si dhe inspektorët e ATK-së.

“Lidhur me rastin në fjalë, më 22.11.2018 në gjimnazin ,,Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj,ju informomë se pjesëtarët e policisë në bashkësi dhe preventivë, në bazë të informatës kanë vizituar gjimnazin në fjalë dhe kanë kontaktuar me drejtorin ku kanë shqyrtuar çështjen e kioskut i cili funksionon brenda hapësirave të gjimnazit dhe lidhur me ketë kanë njoftuar kryeshefin e drejtorisë komunale të inspekcionit si dhe inspektorët e ATK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe të cilët do të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore si dhe ky rast do të shqyrtohet nga ana e Drejtorisë së Arsimit komunal në Ferizaj”, ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i policisë për Komunën e Ferizajt, Agim Gashi.

Por në një përgjigje të ATK-së për Indeksonline, thuhet se ata kanë vizituar këtë shkollë duke i bërë vetëm një vizitë rutinore si në çdo biznes tjetër.

“Po ATK ka vizituar (jo bastisur) subjektin në fjalë, vizita ka qenë vizitë rutinore si tek çdo biznes tjetër”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe, Indeksonline ka tentuar të flas edhe me drejtorin e kësaj shkolle, Enver Azemi mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Indeksonline ka kontaktuar edhe zëvendësdrejtoreshën, Dardane Beqiraj e cila i është përgjigjur thirrjeve por ka thënë se nuk mund të thotë asgjë për këtë çështje.

“Nuk mund të ju them asgjë për këtë çështje, më vjen keq”, ka qenë përgjigja e saj./Indeksonline/