16:48 / E Mërkurë, 29 Korrik 2020 / indeksADMonline

Kosnett reagon ndaj ligjit të PDK-së për vlerat e UÇK-së, të përkrahur nga Qeveria Hoti

Partia Demokratike e Kosovës mori iniciativë për Ligjin rreth Mbrojtjes së Vlerave të Luftës së UÇK-së, por nismë s’po i pëlqen Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Në një postim në Twitter, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se ligji i propozuar është mënyrë e gabuar, i cili kriminalizon lirinë e shprehjes.

“Ligji e kriminalizon  lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se i njëjti projektligj ishte propozuar nga PDK në prill të këtij viti, derisa mori edhe përkrahje nga qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, e cila u procedua për në Kuvend.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka proceduar me këtë projektligj dhe ai tash i dërgohet komisionit funksional, që në këtë rast është Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion.