10:19 / E Hënë, 19 Shkurt 2018 / indeksADMonline

“Kosova dëshmoi se është shtet funksional”

Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës, tha se aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës kaluan shumë mirë.

Arifaj bëri me dije se mbi 60 delegacione kanë marrë pjesë në këtë përvjetor.

“Për këtë 10 vjetor kemi treguar se jemi shtet. Ka pas shumë aktivitete sportive, kulturore, turizëm, kemi pasur konferenca për Kosovën, ku kemi promovuar Kosovën, kemi pasur koncerte. Po ashtu koncerti i Rita Orës ishte kulminacioni ku morën pjesë gjysmë milioni njerëz”, tha ai sot në RTK.

Arifaj bëri me dije se në festën e Pavarësisë kanë marrë pjesë shumë qytetarë nga Shqipëria, Maqedonia etj.

Ai tha se për të gjitha shpenzimet do të dalin me raport dhe çdo gjë do të jetë transparente për publikun.

“Të gjithë këngëtarët janë shprehur të gatshëm të vijnë të përformojnë për këtë përvjetor si: Dua Lipa, Era Istrefi e shumë të tjerë”, deklaroi ai.

“Edhe vet Rita Ora e tha se së bashku mund të arrihen gjëra të mira. Ajo tha se së bashku me Bebe Rexhën të shikojë mundësinë për të organizuar ndonjë koncert në Kosovë në të ardhmen”, tha ai.

Arifaj vlerësoi se një gjë pozitive për Kosovën është se edhe mediat e huaja kanë shkruar shumë për Kosovën.

“Kjo është gjë pozitive se Kosova në mediat e huaja tani përshkruhet ndryshe, vet koncerti i Rita Orës tregon këtë realitet”, tha ai.