09:42 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kosova dhe harku i triumfit në Paris

Shkruan: Ismail Syla

 Në kohën kur në Kosovë si ajri klimaterik ashtu edhe ai politik janë të zënë (eufemizëm ndaj shprehjes ndotje) si shoqëri, politikë dhe opinion publik përgjithësisht kemi pasur nevojë të shihemi në një pasqyrë jashtë shtëpisë, fisit, partisë dhe OJQ-ve. Për fat të mirë, më 11 nëntor 2018 u pamë në pasqyrën globale.

 Më 11 nëntor në Paris u organizua ceremonia e nivelit global – shënimi i 100 vjetorit të përfundimi të Luftës së Parë Botërore. Në këtë jubile shekullor  ndodhi një mrekulli, Kosova hyri në Portën Triumfale (po ta shqipërojmë i bie Dera e Fitores, ose e Ngadhënjimit), duke shpalosur një vlerë të përmasave planetare.

Në Paris, më 11 nëntor 2018 Kosova u përfaqësua e barabartë me kombet dhe shtetet e fuqishme të botës, prej atyre që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gjithë atyre që e njohën, shumica, dhe atyre që ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Kosova u vërtetua edhe njëherë si realitet global de fakto dhe de jure.

Më 11 nëntor 2018 në Paris u shënua fitorja e katërt e madhe historike e Kosovës. Pas çlirimit më 1999, shpalljes së pavarësisë më 2008, vërtetimit për legjitimitet të shpalljes së pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 2010, mënyra e prezantimet të Kosovës më 11 nëntor ishte historike. Paraqitja me dinjitet e Kosovës përmes institucionit më të lartë shtetëror, presidentit Thaçi dhe valëvitja e flamurit shtetëror  zgjuan krenarinë kombëtare dhe i dhanë shkëlqim të ri vetëdijes sonë shtetërore.

Një qytetar i rëndomtë, kur dëgjonte zërat kritikë dhe tendenciozë të cinikëve (helmi për opozitarët, prehri i Putinitetj) tha se suksesin e Kosovës në Paris duhet parë jo tek ata osekëta opinionistë në Kosovë, por te nevrikosja e Beogradit zyrtar. Kosova në Harkun e Triumfit u përfaqësua nga institucioni i Presidentit. Ka mund të jetë edhe dikush tjetër. Krejt në rregull. Por një gjë është e sigurt, përfaqësimi përmes presidentit Hashim Thaçi ka peshë të veçantë.

Hashim Thaçi ka një biografi të pasur politike dhe integritet të lartë individual dhe kombëtar. Ai në qarqe globale nuk ka nevojë për prezantim fillestar. Me liderët botërorë, që nga viti 1999 flet si me miq të vjetër. Takimi me liderët e pranishëm në ceremoninë e 100 vjetorit të Armëpushimit (Trump, Merkel, Macron, Putin) zgjoi vëmendje të madhe.

Por, dy ngjarje u prodhuan nga ky shënim i jubileut të shekullit. Rreshtimi në bllokun A i presidentit Thaçi, afër liderëve të superfuqive dhe të fuqive politike – ekonomike si dhe takimi me presidentin, rus Vladimir Putin. Derisa në fundin e luftës së Parë Botërore shqiptarët ishin kaotikë dhe të papërfillur, në këtë përvjetor ishin dy presidentë shqiptarë, ai i shtetit 106 vjeçar, i pavërejtshëm ashtu si liderët e rajonit tonë, dhe ai i shtetit 10 vjeçar, i shumëvërejtshëm.

Takimi me presidentin Putin zgjoi vëmendje të madhe. Në fakt, deklarata e ambasadorit gjerman Ischinger dëshmoi më së miri rëndësinë e afirmimit global të shtetit të Kosovës, përmes këtij takimi në Paris. Njëmbëdhjetë vjet më parë Putin kishte refuzuara apriori dhe kategorikisht çdo përfillje të Kosovës. Prononcimi i zëdhënësit të Kremlinit për takimin ishte edhe një konfirmim se ka filluar shkrirja e akullit siberik ndaj Kosovës, e cila nuk ka lëvizur dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga boshti i saj euroatlantik.

Pjesa racionale e politikës sonë dhe disa opinionistë Parisin e 11 nëntorit e vlerësuan drejt. Në kohën kur Kosova kalon nëpër gjendje ngërçi pothuajse katër vjeçar, erdhi një moment që prodhoi ndjenjë të mirë dhe pozitive tek ata që gjërat i shikojnë me objektivitet. Parisi 2018 shënoi një legjitimitet të shtetit të Kosovës në shkallë botërore. Kosova u nderua si e barabartë në mesin e shteteve që ishin nga ana e ndritur e historisë botërore, që mposhtën fashizmin, në mesin e fuqive nukleare, në mesin e fuqive si liderë globalë në ekonomi.

Me prezencën e saj në Paris Kosova tregoi vlerat e saj të qëndrueshme dhe mbi të gjitha identitetin shtetëror. Sado vend i vogël dhe me kapacitete të kufizuara ekonomike, Kosova tregoi se produkti i saj më cilësor është vizioni dhe filozofia politike paqësore. Ky vizion ka bërë që Kosova ta fitojë lirinë. Ky vizion ka bërë që Kosova të bëhet model i vlerave atlanticiste në rajon.

Qasja e Kosovës në dialogun me Serbinë do të jetë model unik pozitiv me vlera civilizuese dhe humane në të ardhmen. Kosova duhet të mësohet që të ndjehet mirë kur arrin që në nivel rajonal dhe global të përçojë mesazhe të vlerave afatgjata si: dialogu, pajtimi, fqinjësia e mirë dhe respektimi i diversitetit etnik, kulturor dhe religjioz.

Kosova duhet të ndjehet mirë që prodhon liderë të kulturës së lirisë, që synon arritje të marrëveshjeve paqësore përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Përmes këtyre vlerave thellësisht humane dhe demokratike, më esenciale se çfarëdo protokolli, Kosova hyri krenare në Portën Triumfale të Parisit.