14:30 / E Premte, 22 Qershor 2018 / indeksADMonline

“Kosova e Re” i jep fund humbjeve prej 300 milionë eurosh në vit

Duke përmirësuar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, termocentrali i ri do t’i jap fund humbjeve prej 300 milionë eurosh në vit të shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm me energji që ka mbretëruar në Kosovë në dekadën e kaluar.

USAID-i ka porositur studime që kanë përllogaritur se humbjet ekonomike të Kosovës shkojnë në 300 milionë Euro në vit për shkak të furnizimit të pasigurtë me energji elektrike. Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, mungesa e energjisë elektrike llogaritet si barrierë kryesore e të bërit biznes në Kosovë.

“Jemi në shekullin e ekonomisë dhe të na përcjellin trendët e shkyçjes dhe mosfurnizimit me energji elektrike është e pamundur të flitet për zhvillim. Më shqetësuese në Kosovë është se ka shumë vite që flitet për ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe kjo ka mbetur vetëm një emër. Derisa ne vetëm flasim për këtë në rajon kanë ndërtuar kapacitete të reja”, kishin thënë përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës në prononcimet e tyre zyrtare teksa po prezantonin gjetjet.

Ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese energjetike të bazuara në linjit, me kosto minimale mjedisore dhe në pajtim me direktivat e fundit të BE-së, do të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në vend, duke përfshirë edhe ato komerciale.

‘Misioni i termocentralit Kosova e Re, është që të zëvendësojë njësitë e vjetra prodhuese të energjisë elektrike dhe të sigurojë furnizimin duke krijuar burim të qëndrueshëm të energjisë. Kështu zvogëlojmë varësinë nga importi dhe nga paparashikueshmëria e cmimit në tregun rajonal.’, thuhet në materialet informative të përgatitura nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Kosovë.

Kësisoji, Kosova e Re do të ndikojë që Kosova të tejkalojë krizën shumë-vjecare energjetike duke u shndërruar nga vend importues i energjisë elektrike në superfuqi energjetike në rajon. Furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike është parakusht për investime të ardhshme, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kohë më parë, Contour Global ka lansuar tenderin për ndërtimin e termocentralit të ri prej 500 megavatëve në Kosovë, investimi për të cilin pritet të arrijë 1.2 miliard Euro. Kjo do të shënojë investimin më të madh të tre dekadave të fundit në vendin që ende ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike.

Në njoftimin e tyre zyrtar, Contour Global informon që procesi i përzgjedhjes bëhet në dy faza ndërkombëtare konkurruese, në pajtim me udhëzimet e prokurimit të Bankës Botërore.

 

Temat: