11:00 / E Enjte, 20 Qershor 2019

Kosova e Turqia nënshkruajnë Planin e veprimit për bashkëpunimin dhe partneritetin në shëndetësi

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, bazuar në “Marrëveshjen në mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë” të nënshkruar në Ankara më 8 shtator 2009, nënshkruan sot në Prishtinë Planin e Veprimit për bashkëpunim dhe partneritetin në shëndetësi për periudhën 2019-2021.

Në prani të Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, Plani i Veprimit u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Dr. Naim Bardiqi dhe Zëvendësministrja e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Emine Alp Meşe.

Ministri Ismaili tha se nënshkrimi i këtij plani i jep një shtytje të re bashkëpunimit të mirë në fushën e shëndetësisë midis dy shteteve dhe forcimit të marrëdhënieve  të mira që dy shtetet kanë edhe në rrafshet e tjera.

  Zëvendësministrja turke Emine Alp Meşe, e cila po qëndron në Kosovë në kohën kur po realizohet Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira tradicionale midis dy shteteve, të cilat kanë ditur të ngrenë marrëdhënie të mira të bashkëpunimit si në ditët e vështira ashtu edhe tani.

 “Siç e dini, në mes të Kosovës dhe Turqisë në vitin 2009 është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë. Në kuadër të fushëveprimit të kësaj marrëveshjeje, për çdo vit nga 100 pacientë nga Kosova që nuk kanë mundur të trajtohen në Kosovë, janë trajtuar në spitalet publike të Turqisë falas. Deri më tani, në spitalet publike të Turqisë,  sipas kësaj marrëveshjeje, janë trajtuar mbi 800 pacientë nga Kosova”, theksoi Zëvendësministrja Alp Meşe.

Ajo tha se Plani i Veprimit i nënshkruar sot është një demonstrim i bashkëpunimit të rëndësishëm Kosovë-Turqi në shëndetësi, i cili ka për qëllim të forcoj sistemet shëndetësore të dy vendeve, të nxis bashkëpunimin në  shumë fusha.

Zëvendësministrja theksoi edhe faktin se gjatë pesë vjetëve sa është duke u zhvilluar java e Shëndetësisë Turqi-Kosovë, ekspertët mjekësor nga Turqia kanë kryer në QKUK dhe spitalet e Kosovës rreth 400 operacione, 1500 kontrollime dhe analiza mjekësore, derisa 1300 profesionistëve shëndetësor të Kosovës u ka dhënë mundësia që të ndjekim edukim të vazhduar mjekësor në fusha të ndryshme të mjekësisë.

 Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, dr. Naim Bardiqi duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë dhe gatishmërinë e MSh të Turqisë për të ndihmuar Kosovën  për ofrimin e asistencës teknike hartimin e një Plani për licencimin dhe akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, tha se Plani i Veprimit adreson në mënyrë të qartë fushat konkrete ku shteti i Turqisë mund ta Kosovës në shëndetësi si: bashkëpunimi në fushën e shëndetit publik, emergjencave mjekësore, fushën e kontrollit të infeksioneve spitalore dhe shërbimeve të kujdesit intensiv, fushën e mjekësisë tradicionale; krijimin e politikave dhe planifikimit i buxhetor bazuar në dëshmi, aktivitete të akreditimit për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë në shërbimet shëndetësore , sistemin e vendosjes së çmimit të barnave, etj.

 Ai tha se forcimi i bashkëpunimit në shëndetësi do të krijojë mundësi të reja për përmirësimin e sistemin shëndetësor të Kosovës përmes partneritetit me Turqinë.