15:44 / E Shtunë, 02 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

“Kosova, projekt i përkohshëm”, Miftaraj: Aliu duhet të shkarkohet menjëherë

liburn aliu

“Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm”.

Kjo deklaratë e Liburn Aliut, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ngjalli reagime të mëdha në opinionin publik.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, kjo deklaratë do të përdoret nga Serbia si argument për shtetet që hezitojnë ta njohin Kosovën.

“Sa skandaloze janë deklaratat e ministrit Aliu, edhe më skandaloze është heshtja e kryeministrit Kurti dhe qeverisë së Kosovës të cilët lejojnë që një minister i tillë të vazhdojë të qëndrojë në këtë pozitë. Në një shtet demokratik dhe që bazohet në vlerat të cilat i përfaqëson Kushtetuta e vendit, një ministër i tillë do të duhej të shkarkohej menjëherë. Po ashtu çuditshëm sepse s’kemi reagim as nga Zyra e Presidentes dhe Kryeparlamentarit të Kuvendit”, tha Miftaraj për Klankosova.tv. (shën.red. deklarata e Miftarajt është bërë para deklarimit të Presidentes)

Miftaraj tha se në aspektin penal, deklaratat e ministrit vështirë se mund të klasifikohen si vepra penale kundër rendit kushtetues sepse mohimi i shtetit të Kosovës në vetvete nuk përbën vepër penale.

Ai thotë se nuk mund të përbëjë vepër penale një deklaratë përderisa “nuk ndërmerren veprime konkrete që e minojnë ose cenojnë rendin kushtetues dhe juridik në Kosovë”.

“Përderisa, në aspektin moral dhe etik, çdo ditë që ministri Aliu qëndron në këtë pozitë është njollë e zezë për vetë Albin Kurtin dhe institucionet qendrore të Republikës”.

Ministri Aliu, në një emision televiziv në T7, e bëri këtë deklarim. Ndërkaq në një prononcim për Klankosova.tv, Aliu tha se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.

“E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, tha Aliu.

Për deklaratën e Aliut, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se është njoftuar nga zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, teksa tha se deklarata e tij është bërë gjatë një emisioni festiv.

“Më tha që ai ka qenë një emision, le të themi festiv, në ditët e festës së Flamurit dhe Pavarësisë, 28 Nëntorit”, tha Kurti gjatë një vizite në Gjilan.

Për deklarimin e tij, pati reagime të shumta, si nga sfera politike, ashtu edhe nga qytetarë e analistë politikë.