19:01 / E Hënë, 08 Janar 2018 / indeksADMonline

Kosova së shpejti me ambasadë në Abu Dhabi

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, është pritur nga ministri i Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtarë, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me të cilin ka diskutuar mbi çështje që prekin interesin e të dyja vendeve.

Në takim u diskutua edhe për sinkronizmin e punëve të përbashkëta për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku samiti i radhës i kësaj organizate do të mbahet në Abu Dabi.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i EBA-s, ka premtuar shtimin e angazhimit të tij në çështje që ndërlidhen me forcimin e subjektivitetit dhe integrimit të mëtutjeshëm ndërkombëtarë të Kosovës.

Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në EBA, ka qenë një temë tjetër diskutimi në aspektin politik dy-palësh, dhe është rënë dakord, që Ministria e Jashtme e Kosovës t’i fillojë procedurat e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Abu Dabi që nga java e ardhshme.

Në lidhje me çështjet e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve, ministri i Jashtëm, Pacolli, përmes homologut të tij, i ka bërë thirrje investitorëve potencialë nga EBA për të investuar në Kosovë, gjë e cila është mirëpritur nga bashkëbiseduesi. /Indeksonline/