16:12 / E Hënë, 18 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kosovë/ Këta janë emrat më të shpeshtë në vitin 2017

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e lindjeve në Kosovë për vitin 2017, ku thuhet se në territorin e Kosovës janë kryer 23.563 lindje, prej tyre lindje të gjalla janë 23 402, kurse 161 janë lindje të vdekura.

Ndërsa, 6 712 raste janë lindje jashtë territorit të Kosovës.

“Koeficienti i vitalitetit është 2.7 (raporti ndërmjet lindjeve të gjalla dhe vdekjeve). Koeficienti i maskulinitetit është 111.2. Koeficienti i lindjeve të vdekura (shkalla e të lindurve të vdekur) në 1000 të lindur ishte 6.9 promil (Lindjet në Kosovë). Në institucionet mjekësore janë kryer 99.8% të lindjeve, ndërsa pjesa tjetër ka ndodhur në vend tjetër. Numri më i madh i nënave, që kanë lindur fëmijë, është i grup-moshave: 25-29 vjeçare, me 36.1%; 30-34 vjeçare, me 25.6%; 20-24 vjeçare, me 20.7%; dhe grup-moshat e tjera përbëjnë 17.7% të numrit të përgjithshëm të lindjeve. Mosha mesatare e femrave, që kanë lindur fëmijë në vitin 2017, ishte 29 vjeç.”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Në vitin 2017, 37.8% e nënave kanë lindur fëmijën e parë; 31.8% e nënave kanë lindur fëmijën e dytë; dhe 19.7% e nënave fëmijën e tretë, e kështu me radhë.

“Sipas peshës së fëmijës së lindur, në institucionet shëndetësore numri më i madh i foshnjave ishte me peshë 3 000-3 499 gr. ose 37.3% e foshnjave; 3 500-3 999 gr. ose 31.5% e foshnjave, 2 500 –

2 999 gr. ose 13.6% e foshnjave, etj. Foshnjat e lindura gjallë, me peshë më të vogël se 1000 gr. përbëjnë vetëm 0.2%. Për fëmijët e lindur jashtë institucionit mjekësor, sipas metodologjisë së hulumtimit nuk kërkohen të dhënat për peshën e tyre. Bineq u lindën 654 foshnje, ndërsa treneq e më shumë  u lindën 21 foshnje. Sipas përgatitjes shkollore të nënave, dominojnë nënat me shkollë të mesme, me 40.1%; nënat me shkollë fillore, me 27.4%; nënat me shkollë të lartë dhe me fakultet marrin pjesë me 25.2%, etj”, thuhet në komunikatë.

Emri më i shpeshtë për vitin 2017 për vajza ishte emri Sara me 148 raste dhe Jara me 141 raste, etj. Ndërsa, emri më i shpeshtë për djem ishte Ajan me 246 raste dhe Noar me 226 raste./Indeksonline/

Temat: