23:33 / E Mërkurë, 07 Dhjetor 2022 / AR

Krasniqi: Draftin e parë franko-gjerman nuk do ta nënshkruante asnjë parti shqiptare

Kreu i PDK-së në emisionin “Prime Time”, ka komentuar planin franko-gjerman duke thënë se draftin e parë të këtij plani nuk do ta nënshkruante asnjë parti shqiptare.

Krasniqi ka thënë se draftin e sjellur nga Lajçku këtë javë e konsideron si të ri, ndërkohë që ai i pari është larg aspiratave të shtetit të Kosovës.

“Unë e konsideroj këtë një draft të ri. Atë që e kam thënë për draftin e parë i qëndroj mbrapa. Ashtu siç ka qenë drafti i parë nuk besoj që mund ta nënshkruaj kushdo prej partive shqiptare në Kosovës sepse është larg nga objektivat qendrore dhe aspiratat tona. Por kjo nuk do të thotë se duhet të refuzohet si i tillë sepse besoj që ekziston mundësia për të u angazhuar në këtë proces dhe për të kërkuar dhe rritur realizimin e aspiratave tona shtetërore, të cilat i kam thënë në Kuvendin e Kosovës.”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se Kosova duhet të ketë pesë objektiva që duhet kërkuar në planin që tani po quhet evropian.

“Sipas meje dhe PDK-së janë pesë. E para të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës brenda integriteti territorial dhe sovranitetit kushtetues që e kemi. E dyta të garantohet njohja e Kosovës nga 5 vendet mos njohëse të BE-së. E treta Kosova të hap procesin e anëtarësimit në NATO. E katërta që të merret statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. E pesta njohja e ndërsjellët që duhet të jetë objektivi themelor.”, ka deklaruar në Prime Time Memli Krasniqi.

Tutje, Krasniqi ka thënë se  njohja reciproke me Serbinë duhet të jetë objektiva kryesore e marrëveshjes.