09:22 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

Krasniqi ia krahason Haradinajt rastin e Jabllanoviqit me atë të Rikalos

Deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi i është drejtuar me pyetje ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij për keqtrajtim të qytetarëve të Prishtinës gjatë luftës.

“Qytetarët kanë dhënë dëshmi se i keni dhunuar e keqtrajtuar ata. Ju keni deklaruar se keni bërë jetë të qetë gjatë asaj periudhe. Pse fqinjët e lagjes suaj i kanë këto ankesa? e jo ndaj të tjerëve. Cili ka qenë roli i juaj dhe familjes suaj në luftën në Kosovë, çfarë nënkupton që keni bërë jetë të qetë, a përfshihen në jetë të qetë torturat dhe rrahjet?”, ka thënë Krasniqi.

Në mungesë të ministrit, fjalën e mori kryeministri Ramush Haradinaj, duke i thënë se e ka liruar ministrit nga Kuvendi, pasi më vonë kanë interpelancën për temën e akuzave.

Menjëherë ka ardhur edhe reagimi i Frashër Krasniqit, i cili ka thënë se nuk e kupton se pse sipas tij kryeministri po i del në krah ministrit Rikalo.

“Kjo është një befasi jo e këndshme që ju zotëri Ramush Haradinaj po i dilni në mbrojte ministrit në vend që ta shkarkoni. Ju keni kërkuar shkarkimin e Jabllanoviqit për ofendim ndaj nënave gjakovare dhe nuk po veproni njejtë me ministrin Rikalo”, tha ai.

Haradinaj ka shtuar se për këto do të përgjigjet gjatë interpelancës sot në Kuvend./AktivPress