13:12 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Kuvendi po shndërrohet në institucion jofunksional dhe i paefektshëm

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, njëherit njohës i zhvillimeve në Kuvend, Albert Krasniqi ka thënë se grumbullimi i punëve të Kuvendit, vjen si rezultat i planifikimit të dobët të seancave dhe mungesës së përkushtimit në punë.

Sipas tij, Kuvendi po shndërrohet në institucion jofunksional dhe i paefektshem, duke iu referuar mbajtjes së seancave plenare rrallë, shkruan Indeksonline.

Reagimi i tij i plotë në facebook:

Kryesia e Kuvendit ka caktuar vazhdimet e seancave plenare për 26 pika të papërfunduara të datave 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe 3 dhe 17 maj.
Kjo është një fotografi që pasqyron më së miri grumbullimin e punëve të Kuvendit, që vjen si rezultat i planifikimit të dobët të seancave dhe mungesës së përkushtimit në punë. Po hyjmë në muajin qershor dhe nuk janë përfunduar pikat e muajit prill.
Një çështje e cila nuk shqyrtohet në kohën e duhur i humbet edhe rëndësia. Kështu Kuvendi po shndërrohet në institucion jofunksional dhe të paefektshëm. Kryesia e Kuvendit duhet të angazhohet shumë më shumë në organizim më të mirë të seancave plenare, duke organizuar seanca të rregullta dhe më pak të ngarkuara./Indeksonline/