75 Mall Live Search
21:00 / E Martë, 04 Shtator 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Rezoluta e opozitës koti, më shumë për reklamë politike

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi rezolutën për integritetin territorial të Kosovës të thirrur nga opozita e ka quajtur koti.

Krasniqi ka thënë se integriteti territorial është i mbrojtur me kushtetutë, ndërsa rezoluta e opozitës është vetëm për reklamë politik, raporton Indeksonline.

“Edhe opozita ka bërë propozim absurd. Dikush po me shtinë me dyshu që e nuk e kanë lexuar kushtetutën e Kosovës, që neni i parë garanton integritetin territorial. Pra, është e garantuar me kushtetutë dhe mbrohet me të. Një rezolutë koti nuk mundet me i jep fuqi ma shumë se kushtetuta, po këtë e kanë bërë më shumë për marketing, komandanti, Avdullah Hoti. Secili prej nesh e dimë çka kemi bërë kur ka qenë Kosova në rrezik dhe kur ka qenë e copëtuar. Besoj se edhe Avdullah Hoti mund t’i flas vetes, para se t’iu flasë të tjerëve se nuk ka qenë i vogël në moshë për të treguar zellin e madh për të mbrojtur Kosovën. Secili qytetar që e ka mbrojtur vendin. Kosova është e garantuar me Kushtetutën e vet dhe qytetarët e vet, nuk ka mbetur Avdullah Hoti me shokët e tij të mbrojnë Kosovën, sepse atë e mbrojnë qytetarët”, ka thënë Memli.

Më tej ai ka kritikuar opozitën se janë fajtor që kjo ditë kaloi pa u mbajtur asnjë seancë. Sipas tij, opozita do duhej të merrte pjesë në seancën e jashtëzakonshme për ekipin negociues, megjithëse nuk do votonin pro.

“Ne kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në seancën e opozitës. Ne kemi qenë këtu prej mëngjesit. Opozita janë ata që nuk kanë ardhur në seancën tjetër. Të gjithë deputetët e PDK-së janë të gatshëm të marrin pjesë në seancën e thirrur nga opozita. Megjithëse do e kundërshtojmë rezolutën e tyre, ne do marrim pjesë dhe do diskutojmë. Ndërsa ata nuk po e bëjnë të njëjtën gjë, ata nuk ishin të pranishëm në seancën e thirrur për ekipin negociues.  Duhet të marrin pjesë edhe ku nuk iu pëlqen dhe të diskutojmë së bashku”, ka thënë Krasniqi. /Indeksonline/