18:34 / E Mërkurë, 18 Maj 2022 / GF

Krasniqi: Shpëtuam rreth 450 mijë familje nga shtrenjtimi i rrymës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e ZRRE-së si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

Krasniqi thotë se është shumë i lumtur që “qëndrimi parimor i PDK-së për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë”, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare.

Postimi i plotë:

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Sot, kemi mirëpritur vendim e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm.

Jam shumë i lumtur që qëndrimi ynë parimor për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare.

Njëkohësisht, jam shumë falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë besuar në këtë kauzë, të cilën ne e kemi ndjekur ligjërisht për të mbrojtur interesin publik dhe qytetarët si konsumatorë.

Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit./Indeksonline/