18:02 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Krijohet kompania ajrore shqiptare ‘Air Albania’, ja kush janë tre aksionerët

Pas promovimit dhe prezantimit se më 1 qershor 2018 do të niste fluturimet e para ‘Air Albania’, qeveria shqiptare i hap rrugën ligjërisht kompanisë shqiptare “Air Albania”.

Me vendimin numër 309 datë 16 maj 2018 firmosur nga kryeministri Edi Rama është krijuar “Air Albania” e cila ka si aksionerë Albcontrol SHa, MDN Investment dhe Turkish Airlines.

Aksionerët janë tre kompanitë e sipërcituara ndërsa Albcontrol në këtë ortakëri do të përfaqësojë interesat shtetërore.

Albcontrol dhe MDN Investment sipas vendimit të qeverisë do të kenë mazhorancës e aksioneve prej jo më pak se 51 % të tyre ndërsa pjesa takuese prej 49 % i kalon Turkish Airlines.

Marrëveshja mes ortakëve do të nënshkruhet 10 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi i cili është publikuar në fletoren zyrtare numër 82 datë 6 qershor 2018.

Sipas verifikimeve në qendrën kombëtare të regjistrit të bizneseve rezulton se MDN Investment kompania shqiptare e cila do të jetë ortake e linjës ‘Air Albania’.

MDN investment me pronar Sinan Idrizin biznesmenin nga Vlora është krijuar sipas të dhënave në QKR më 3 Maj 2018 me Seli në Vlorë me administrator dhe ortak të vetëm Idrizin.

Idrizi është i njohur edhe si presidenti i klubit të futbollit Flamurtari ndërsa pritet që në qytetin e Vlorës ku ka selinë kjo kompani së shpejti të nis dhe ndërtimi i aeroportit të dytë ndërkombëtar në vend.

Temat: