07:56 / E Premte, 12 Nëntor 2021 / OSH

Kriptovaluta që u rrit me 560% në vlerë brenda vitit

Bitcoin është pa diskutim kriptomonedha më e famshme dhe më e fuqishme në botë. Me një vlerë prej 70 mijë dollarësh për 1 Bitcoin, është shndërruar në një investim të sigurt për të gjithë.

Por, të paktën për këtë vit, një tjetër kriptomonedhë po ecën me ritme të jashtëzakonshme. Edhe pse në vlerë absolute është shumë më poshtë sesa Bitcoin, vetëm 4850 dollarë, Ethereum ka pësuar një rritje prej 560% në vlerë.

Njerëzit po investojnë gjithmonë e më shumë në këto monedha, teksa ekspertët parashikojnë që vala e kësaj bote financiare të decentralizuar do të mbizotërojë mbi atë të bankave.

Në total, në tregjet virtuale, qarkullojnë kriptomonedha Ethereum me vlerë 575 miliardë dollarë, pak a shumë gjysma e Bitcoin, që vlerësohet në 1,3 trilionë dollarë. Analistët e botës së kriptovalutave po shohin një ndryshim të trendit të investitorëve, raporton CNN Business. Deri para pak kohësh, 75% e kriptomonedhave në qarkullim ishin Bitcoin, ndërsa tanimë kjo shifër ka zbritur në 50%. Kjo kryesisht edhe për faktin se Ethereum po fiton gjithnjë e më shumë terren.

Megjithatë, ekspertët rekomandojnë që investitorët t’i qëndrojnë besnik kriptomonedhave më të sigurta, Bitcoin dhe Ethereum, dhe të mos ndërmarrin investime të rrezikshme, pasi jo të gjitha kriptomonedhat kanë gjetur terren për përdorim praktik.