Krishtlindjet, përçohet mesazhi për paqe dhe dashuri
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e mbajtjes së meshës për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza”, ka përçuar mesazhin e paqes dhe dashurisë, duke thënë se ato janë shembulli më i mirë i përmbushjes së dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmve.
Duke përkujtuar se festa e Kërshëndellave na kthen në të kaluarën për të kujtuar veprën e madhe që Zoti bëri për njerëzimin, Imzot Dodë Gjergji tha se kjo festë i bën të gjithë besimtarët të ndihen më të përgjegjshëm dhe më të bashkuar.
Derisa vitin e ardhshëm do të shënohet 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ipeshkvi Gjergji ka përkujtuar kryetrimin shqiptar duke thënë se mbetet prijësi më i mirë i gjitha kohëve që ka pasur populli shqiptar.
“Është rast t’i ftojmë të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë kudo në trojet shqiptare, por edhe në vetë familje, për ta rikthyer besimin e humbur, për të siguruar paqen politike e drejtësinë sociale dhe bashkëjetesën ndërfetare, për të mos hezituar ta ripërtërijnë miqësinë me kombet dhe vëllazërinë mes vete, sepse kemi nevojë për shërimin tonë shpirtëror, kulturor, shoqëror dhe politik, nëpërmjet një besëlidhjeje të re, në emër të dashurisë, jo në emër të luftës, të lirisë dhe të paqes”, ka thënë ipeshkvi Gjergji.
Ai ka uruar që kjo festë të depërtojë në zemrën e secilit prej besimtarëve të krishterë dhe familjeve të tyre.
Ndryshe, Krishtlindja është festa e lindjes së Krishtit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Kjo është ndër festat më të dashura dhe të preferuara nga mbarë bota e krishtere.