21:19 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / GF

Kriza me rrymë, Pacolli: Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli edhe njëherë është deklaruar rreth krizës energjetike në Kosovë.

Ai thotë se, ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE, raporton Indeksonline.

“Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRRE”, shkruan Pacolli.

Njoftimi i plotë:

Problemet energjetike në Kosovë sot po prekin çdo segment të shoqërisë sonë, qytetarët dhe bizneset. Politikat adekuate ndaj investitorëve ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë por edhe në diversifikim.

Sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh. Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE.

Një rast i tillë është në Sharr  dhe Brezovicë ( rastesishtë e njoh rastin jane investitorë nga jashtë), të cilat kanë mbi 10 Mgw kapacitet prodhues të energjisë, por nuk janë duke u lëshuar licencë nga ZRRE.

Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRRE.

Vetëm me prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe me mbrojtjen e duhur të investitorëve dhe rregullat ligjore moderne është e vetmja rrugë për të zhvilluar ekonominë tonë, për të rritur investimet e huaja dhe për të prodhuar më shumë energji dhe ngritjen e kapaciteteve të reja.

Tani si po shkon, pengesat burokratike dhe problemet energjetike po i largojnë investitorët aktualë dhe potencialë nga Kosova.

Kosovës i duhën edhe shumë investime në sektorin e prodhimtarisë te energjisë elektrike.