18:50 / E Shtunë, 28 Mars 2020 / indeksADMonline

Krizat kërkojnë unitet jo inate dhe përqarje

Shkruan: MA. GENC MEKAJ
Problemi i cili ka kapluar botën i quajtur Covid-19 (Coronavirus) është shndërruar në një krizë globale e cila nuk njeh kufij dhe shtete. Kjo krizë është shndërruar në një pandemi gjithëpërfshirëse e cila po përhapet me shpejtësi në të gjitha anët e botës. Përhapja e kësaj pandemie ka shkaktuar një krizë mbarë botërore, e cila nuk mund të parandalohet dhe të luftohet në mënyrë të përgjithshme as nga shtetet me kapacitetet më të fuqishme të rruzullit tokësor.
Sot e gjithë bota është duke mbajtur frymën përpara kësaj pandemie e cila është ‘’vdekje e fshehur si dhe frikë e gjallë’’ për të gjallët. Virusi i kësaj kohe ka shkaktuar probleme të përgjithshme brenda shtetërore si dhe probleme ndërkombëtare. Si pasojë e kësaj pandemie qytetare të shteteve të ndryshme janë detyruar që të mbyllen në shtëpitë e tyre. Po ashtu në rrafshin ndërkombëtar janë mbyllur kufijtë tokësor në mes shteteve si dhe janë ndaluar linjat ajrore duke bërë që shtetet të mbyllen brenda kufijve dhe territoreve të tyre.
Kjo pandemi ka përfshirë edhe Evropën juglindore me theks Republikën e Kosovës e cila është në një përballje të vazhdueshme me këtë pandemi të frikshme dhe të fshehtë. Përveç frikës që ka sjell kjo pandemi në Republikën e Kosovës, bashkë me të është ndezur dhe një krizë e brendshme politike e cila është përcjell me zhvillime të njëpasnjëshme në hierarkinë politike shtetërore.
Koalicioni qeverisës në mes partive VV-së dhe LDK-së pësojë një lëkundje dhe krisje pasi që kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkarkoj në mënyrë të prerë ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu (nga radhët e LDK-së). Shkarkim i cili ndodhi si pasojë e prononcimit të ministrit në një televizion dhe i cili në mënyrë të qartë u deklarua kundër qëndrimit të Kurtit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se deri te ky vendim ka ardhur për arsye se me këtë deklaratë Veliu ka përhapur panik në masë pasi ka thënë se “në Kosovë situata është serioze dhe se numri po rritet nga ora në orë”. Më tej kryeministri Kurti ka theksuar se as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet. Kështu që kryeministri Kurti shkarkoj ministrin e brendshëm duke u bazuar në atë që u cek më lartë si dhe për mosrespektim të përgjegjësive dhe unitetit si ministër ndaj kryeministrit, ( pasi që ministrat i përgjigjen kryeministrit).
Fillesa dhe nisma për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme u nis nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi. Presidenti Thaqi shprehu vlerësimin dhe bindjen se vendi duhet të shkoj në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së pandemisë brenda vendit, gjë e cila nuk u përkrah nga kryeministri Kurti, ( për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të konsultohen dhe bien dakord në mes vete Presidenti dhe Kryeministri i vendit ).
Pas mos të rënit dakord Presidenti me kryeministrin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ministri i brendshëm Veliu bëri deklaratën dhe animin e tij e cila i kushtoj me shkarkim të prerë nga kryeministri Kurti.
Pas dhënies së vendimit për shkarkim të ministrit të brendshëm nga Kryeministri Kurti e gjithë kursia qeverisëse në mes partnerëve të koalicionit pësojë lëkundje. Menjëherë pas këtij shkarkimi kryesia e partisë së LDK-së e cila është partner në koalicionin qeverisës thirri mbledhje ku tema kyqe ishte shkarkimi i ministrit të brendshëm i cili ishte nga radhët e tyre. Në këtë mbledhje të kryesisë së LDK-së me të gjitha pro-kontrat e brendshme u vendos që të niset mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Kështu që kryetari i partisë së LDK-së Isa Mustafa deklaroi se nuk do të qeverisin më së bashku me VV si dhe do të dërgojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë në kuvend për votim.
Duke bërë një retrospektiv të përgjithshme të gjendjes e cila qoj në këtë destabilitet politik brenda vendit mund të themi se karremet e ngritura brenda politikës së Kosovës si dhe sfidat të cilat e presin Qeverinë bënë që të dërgohet vendi dhe qytetarët në një krizë me dy koka; kriza politike dhe kriza e pandemisë COVID-19.
Populli më së shumti u trondit nga këto rrethana pasi që të gjithë ishin të fokusuar nga pandemia si dhe luftimi ndaj saj. Përqarjet, inatet si dhe kurthet në sferën politike brenda vendit në këtë kohë pandemie janë goditja më e ithët e cila i është bërë popullit të Kosovës që nga pavarësia e Kosovës.
1). Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese e spektrit politik si dhe e vendit në përgjithësi dhe jo përqarës dhe neglizhues. 2). Kryeministri duhet të jetë i matur, menaxhues dhe largpamës në lidhje me rrethanat dhe gjendjen në të gjitha sfidat dhe interesat e vendit. 3). Qeveria duhet të unifikohet dhe koordinohet në mes vete duke vendosur gjithmonë primare gjendjen, interesin, mirëqenien dhe stabilitetin e vendit si dhe të qytetarëve në përgjithësi. 4). Krerët e partive duhet të i vlerësojnë interesat e qytetarëve dhe vendit duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Duhet të anashkalohen inatet dhe interesat politike dhe personale.
Preferencat dhe interesat për të quar Qeverinë nga e rregullt në Qeveri në dorëheqje në gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, nuk është asgjë tjetër përpos se një gabim trashanik nga të mos dijshmit si dhe një idiotësi nga të dijshmit.
Trekëndëshi i Bermudës ‘’President- Krerë të partive- Kryeministër’’ ka futur Kosovën në një qorr sokak të cilën më së shumti po e paguan qytetari në të gjitha format sidomos me atë psikike-frikësuese, përballë gjendjes në të cilën ndodhet vendi nga pandemia. Krizat kërkojnë unitet të të gjithëve, jo inate dhe përqarje.
Shpresojmë se qytetarët do të ndëshkojnë këtë goditje të cilën ua bëri elita politike në krizën dhe ndjenjën më të vrugullt të vendit. Populli di të ndëshkojë gjithmonë ata të cilët e lanë më së keqi në kohën më të keqe. Sikur se ka ndëshkuar populli prapë do të ndëshkoj secilin që duhet dhe e meriton të ndëshkohet.