19:07 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kryediplomati turk me mesazh nga Kosova: Na dorëzoni edhe gylenistët e tjerë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, që t’i dorëzojnë tek ato turke gulenistët, pasi siç tha ai “Feto është organizatë terroriste”.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, është takuar sot me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me ç’rast Pacolli e quajti atë mik historik dhe tha se ka marrë garancion që Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.

Ai tha se Kosova gjendet para disa sfidave të integrimit, për të cilat tha se Turqia do të qëndrojë përkrahë Kosovën.

“Sigurisht Turqia është e gatshme të na ndihmojë edhe në çdo pyetje apo kërkesë që parashtrohet në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd”, ka thënë Pacolli dhe njoftoi se folën edhe për sektorin ekonomik, ku Pacolli tha se u bëri thirrje që të vazhdojnë me investimin në Kosovë.

Ndërsa ministri turk theksoi se Turqia ka lidhje historike me popullin e Kosovës dhe tha se janë duke e realizuar kampanjën për të lobuar për njohje të Kosovës. Po ashtu, ai tha është duke u angazhuar që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, siç është Interpoli. “Firmat turke në Kosovë janë në rritje e sipër dhe duam që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë”, tha ai.

Ministri turk tha se Organizata për arsim “Marif” ka dëshirë të hapë shkolla dhe është e gatshme të marrë përsipër edhe shkolla të tjera në Kosovë, nëse i lejohet, ndërsa sërish përmendi shkollat e Gulenit ku tha se Feto është organizatë terroriste dhe u bëri thirrje institucioneve kosovare që t’ua dorëzojnë gulenistët, raporton KosovaPress. Ndryshe, nga Kosova këtë vit janë depërtuar 6 gulenistë, 5 nga të cilët ishin mësimdhënës dhe një mjek.