20:16 / E Martë, 15 Mars 2022 / SH F

Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Çekisë mbërrijnë në Kiev

Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke kanë mbërritur me tren në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal.

Kryeministrat mbërritën në qytet në emër të këshillit të Bashkimit Evropian, tha Shmyal në Twitter, duke vlerësuar “guximin e miqve të vërtetë”.

Udhëheqësit do të diskutojnë për “mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e sanksioneve kundër agresionit rus”, shtoi ai.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki gjithashtu publikoi në Twitter fotografi teksa shihet me homologun slloven, Janez Jansha dhe atij çek, Petr Fiala.

“Këtu, në Kievin e shkatërruar nga lufta, po shkruhet historia. Pikërisht këtu, liria lufton kundër botës së tiranisë. Këtu është e ardhmja e të gjithë neve që varet prej një balancimi. BE-ja mbështet Ukrainën, e cila mund të llogarisë në ndihmën e miqve të saj – ne e sollëm këtë mesazh në Kiev sot”, tha ai.

Ndryshe, Rusia ka vazhduar të bombardojë edhe sot shtetin ukrainas duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.