22:42 / E Premte, 14 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kryeprokurori Beka për grabitjen në Obiliq: Kryerësit e veprës ende të pa identifikuar!

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me grabitjen  e degës së një institucioni mikrofinanciar në Obiliq, nga persona të panjohur.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Kryeprokurori i Themelores, Imer Beka ka thënë se grabitja është kryer nga tre persona.

Beka ka bërë të ditur se nga informacionet që ka pranuar nga prokurori kujdestar ka mësuar se grabitja është bërë me armë automatike.

“Kemi filluar hetimet për grabitjen e ndodhur sot në Obiliq. Është kryer nga tre persona, deri më tani personat janë të pa identifikuar. Po punojmë për ndriçimin e të gjithave rrethanave që karakterizojnë rastin në fjalë”, ka thënë Beka për “Indeksonline”.

Ndryshe, rastin në fjalë e kishin konfirmuar për Indeksonline edhe zyra për informim e rajonit të Prishtinës. Në përgjigjen e tyre, thuhet se në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë të cilat po vazhdojnë të merren me rastin.

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën se në një institucion mikrofinanciar në Obiliq ka ndodhur një grabitje e armatosur. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë arrit njësitet e nevojshme policore te cilat po merren me rastin”, thuhej në përgjigjen e PK-së./Indeksonline/