20:15 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kryeprokurori Beka tregon se kur mund të kthehet në Kosovë sulmuesi i Sokol Zogajt!

Policia e Kosovës në kuadër të EUROPOL-it ose ndryshe Fast Kosova, në bashkëpunim me Policinë gjermane kishin arritur dje të arrestonin personin i cili muaj më parë sulmoi drejtorin e burgjeve të Kosovës, Sokol  Zogajn.

Informacioni për arrestimin e tij ka mbërritur edhe tek organet e hetuesisë. Kështu Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar dje informatën se i dyshuari B.A  i ngarkuar me vepër penale “Sulm ndaj personit zyrtar” është ndaluar nga autoritet gjermane.

Në një prononcim për “Indeksonline”, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka shpjeguar procedurën e ekstradimit të dyshuarit në burgun kosovar.

Ai thotë se prokurori i këtij rasti i ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme ligjore. Sipas tij, ky proces mund të zgjatë një muaj.

“Prokurori i rastit, Ibrahim Fejza duke u bazuar në nenin 410, paragrafi 2, i ka ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe me dokumentacionin e nevojshëm do t’i drejtohet ministrisë së drejtesisë-departamentit (zyrës ) për bashkëpunim ndërkombëtar që nëpërmes rrugës diplomatike do të kërkohet ekstradimi i të dyshuarit për në Kosovë që organet e drejtësisë kompetente ta zgjedhin këtë rast penal”, ka thënë Beka për “Indeksonline”.

Ndryshe, Sokol Zogaj muaj më parë  ishte sulmuar brutalisht nga persona të panjohur afër banesës së tij në Prishtinë.

Pas këtij sulmi kishin reaguar edhe krerët e shtetit, madje edhe organizata më e madhe ndërkombëtare (EULEX) të cilët kishin  kërkuar që shumë shpejt të gjendet personi që ka sulmuar drejtorin e burgjeve të Kosovës, Sokol Zogajn, duke bërë thirrje për hetim të rastit dhe zbradhjen e kësaj ngjarje./Indeksonline/