12:04 / E Enjte, 08 Prill 2021 / e. b

Kryeprokurori i Shtetit: Kanë përfunduar hetimet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”

Kryeprokurori Aleksandër Lumez ka njoftuar se kanë përfunduar hetimet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, dhe shumë shpejtë do të ketë vendim përfundimtar nga ana e Prokurorisë ndaj tre personave lidhur me veprën penale.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, si autoritet kompetent, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit ndaj prokurores së rastit nëse vërtetohet që e njëjta ka bërë sjellje eventuale, të cilat janë në kundërshtim me ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, thueht në njoftim, transmeton Indeksonline.

Njoftimi i Plotë:

NJOFTIM NGA ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT
Prishtinë, 8 prill 2021 – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore para se të paraqitet në publik hulumtimi i “Kallxo.com”-it, i publikuar mbrëmë më datën 07.04.2021, lidhur me pretendimet se janë dhënë “5 mijë euro për ta mbyllur lëndën në Prokurori”. Kryeprokurori i Shtetit me të pranuar informacionin lidhur me këto dyshime, më datën 10.02.2021, ka autorizuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) që t’i fillojë hetimet për zbardhjen e tërësishme të rastit, ku janë të përfshirë tre persona në videoincizim.
Prokuroria Speciale menjëherë ka filluar hetimet, të cilat janë zhvilluar me intensitet dhe prioritet të lartë.
Njoftojmë opinion se hetimet kanë përfunduar, me ç’rast janë siguruar prova të mjaftueshme dhe shumë shpejtë do të ketë vendim përfundimtar nga ana e Prokurorisë ndaj tre personave lidhur me veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 431, Paragrafi 1 dhe Paragrafi 2 i Kodit Penal, që ka qenë fuqi në vitin 2017, kur edhe dyshohet të jetë kryer vepra penale. Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, si autoritet kompetent, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit ndaj prokurores së rastit nëse vërtetohet që e njëjta ka bërë sjellje eventuale, të cilat janë në kundërshtim me ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Prokurori i Shtetit mbetet i angazhuar për zbatimin e ligjshmërisë ndaj secilit individ dhe veprimi të kundërligjshëm pavarësisht funksionit dhe pozitës së tij, duke mos bërë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon.