15:55 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Kryeshefi i AUV: Mishi i prishur nga Belgjika nuk ka hyrë në Kosovë

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, në një intervistë për Telegrafin ka folur për shqetësimet e fundit sa i përket sigurinë e ushqimeve të cilat konsumohen në Kosovës.

Ai ka treguar se mishi i importuar nga Belgjika, me cilësi të dyshimtë nuk ka hyrë në tregun e Kosovës pasi që është bllokuar në kufi nga zyrtarët e kësaj agjencie.

“Pikërisht stafi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e ka zbuluar për herë të parë dhe e ka parandaluar hyrjen e mishit në Kosovë, i cili ishte importuar nga Belgjika. Me këtë rast i kemi alarmuar institucionet përkatëse dhe ato belge. Ky mish nuk është në tregun e Kosovës, pasi më tu zbuluar është sekuestruar nga zyrtarët e AUV-së”, thotë Gjinovci.

Ai ka treguar se sasia e mishit të sekuestruar në vitin 2016, nga Belgjika ka qenë rreth 20 tonë.

“Gjatë kontrollit është parë se ky mish është paketuar në tetor të vitit 2004. Ka qenë publike emri i kompanisë në media. Të gjithë përpunuesit e mishit janë në monitorim të plotë dhe jo vetëm ndaj kësaj kompanie, por ndaj të gjithëve do të jemi të pakompromis ndaj veprimeve të tilla “, shtoi ai.

Kryeshefi i AUV-së, Valdet Gjinovci tregon se është ngritur edhe vetëdija e konsumatorëve që të raportojnë në AUV dhe në agjencitë e tjera për produkte me cilësi të dyshimtë.

Sipas tij, konsumimi i produkteve ushqimore në Kosovës është i sigurt.

“Siguria ushqimore është një fushë e ndjeshme dhe në këtë drejtim AUV-ja është e përkushtuar të ofroj produkte të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit. Produktet që hyjnë dhe konsumohen në Kosovë janë të sigurta”, ka thënë Gjinovci.

Temat: