11:48 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kryetari Begaj dhe anëtarët e kuvendit, dhanë betimin

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe 31 anëtarët e Kuvendit, kanë dhënë sot betimin solemn.

Kryetari i rizgjedhur i Malishevës, me këtë rast u zotua se do të punoj për qytetarin dhe do t’i zbatoj në përpikëri ligjet dhe vendimet që dalin nga Kuvendi i Komunës, transemton Indeksonline.

Ky është njoftimi i plotë:

Është mbajtur mbledhja konstituive e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku 31 anëtarët kuvendit e kanë dhënë betimin solemn, si dhe e kanë nënshkruar deklaratën e betimit. Po ashtu sot, edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka dhënë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka gjithsejtë 31 anëtarë, ndërsa kjo legjislaturë përbëhet nga pesë subjekte politike. NISMA me 11 anëtarë, PDK me 9 anëtarë, LDK me 6 anëtarë, VV me 4 anëtarë dhe AAK me 1 anëtar. Mbledhja e parë është drejtuar nga Hidajete Mazreku, si anëtarja më e vjetër e kuvendit.

Në fjalën e tij, kryetari i rizgjedhur i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, u zotua se do të punoj për qytetarin dhe do ti zbatoj në përpikëri ligjet dhe vendimet që dalin nga Kuvendi i Komunës, duke i ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit, që të bashkëpunojnë  për ti realizuar interesat e qytetarëve të Komunës së Malishevës. Begaj, u zotua se do të angazhohet maksimalisht, për mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Malishevës, ku prioritet të jetë bujqësia, shëndetësia, infrastruktura shkollore, rrugore, rrjetet e kanalizimit dhe ujësjellësve, pastaj rinia, kultura dhe sporti, gjithashtu do të jenë në qendër të vëmendjes përmes përkrahjes konkrete.