13:49 / E Shtunë, 15 Maj 2021 / OSH

Kryetarja e Preshevës takohet me Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut, përmend miosnjohjen e diplomave të Kosovës nga Serbia

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani sot ka pasur një takim me Delegacionn e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.

Në këtë takim, Sinani hapi temën e mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga ana e Serbisë, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë i Ardita Sinanit: 

Delegacioni i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, i kryesuar nga Sonja Biserko sot vizitoi komunën e Preshevës, ku pata kënaqësinë ta pres në kabinetin tim.

Delegacioni është duke grumbulluar informacione mbi gjendjen e të drejtave të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës me qëllim të përpilimit të Raportit të rradhës mbi të drejtat e njeriut dhe pakicave.

Në këtë takim mjaft bashkëpunues diskutuam për problemet e shumta me të cilat përballen Shqiptarët e Luginës së Preshevës. Theks i veçantë u vu mbi problematikën e pasivizimit të adresave të Shqiptarëve.

Mosnjohja e diplomave të Kosovës, si dhe burokracia e stërzgjatur e njohjes së diplomave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut ishte poashtu temë e bisedës me znj. Biserko, probleme këto për të cilat edhe më tutje udhëheqja shtetërore e Serbisë vazhdon të sillet e painteresuar për zgjidhejn e tyre.