23:42 / E Enjte, 10 Qershor 2021 / OSH

Kryeudbashi Bozhidar Spasiq tregon se kush i kërkoi të sajonte dosjen kundër Ali Ahmetit!

Përpara 11 vjetësh në mediat shqiptare shpërtheu e ashtuquajtura “Dosja e UDB-së me emrin Ibar”. Ish inspektori i lartë i UDB-së, Bozhidar Spasiq pohonte se Ali Ahmeti kishte qenë spiun i Shërbimit Sekret Jugosllav.

Meqenëse në njërin nga “dokumentet” e publikuara thuhej se Ali Ahmeti kishte spiunuar për një takim në të cilin kisha qenë i pranishëm edhe unë disa gazetarë me të cilët kam ruajtur raporte të mira kërkuan nga unë që ta denoncoja publikisht.

Edhe pse në atë kohë ishim rivalë politikë dhe Ali Ahmetin e kam kritikuar për shumë gjëra, unë nuk rashë në grackë të asaj që e konsideroja sajesë të UDB-së.

Nga Bardhyl Mahmuti

Tani, pas më shumë se një dekade, vet Bozhidar Spasiqi nxori në shesh arsyet e një sajese të tillë.

Më 2 qershor 2021, në intervistën e dhënë në Emisionin e mëngjesit të TV HAPPY, ndër të tjera, Bozhidar Spasiq deklaron:

“Disa liderë politikë shqiptarë kanë dëshirë të madhe të takohen me mua. Para 4-5 vjetësh ka ardhur një grup shqiptarësh, u takuam në sheshin e Republikës, qendër të Beogradit , erdhën nga njëra prej ish republikave jugosllave ku ka shqiptar dhe më kanë lutur nëse mundem t’u ndihmoj që ai shqiptar të hiqet nga pushteti dhe në vend të tij të vij një tjetër.”

“Bëhet fjalë për kryetarin e BDI-së, quhet Ali Ahmeti. Një keqbërës, të cilin nuk e kemi likuiduar, sepse ka qenë i parëndësishëm edhe pse më vonë ka qenë në UÇK. Ai, Ali Ahmeti, ka krijuar një parti politike, ka themeluar BDI-në, me seli në Tetovë dhe në Tetovë si qendër e shqiptarëve në Maqedoni ka edhe katër parti të tjera politike. Këto katër parti politike vijnë dhe më thonë: Bozho, a mundesh ta largosh këtë njeri. Jo ta vrasim, por ta…”

“E kam informuar kryetarin e shtetit se do ta kryej këtë operacion dhe kam bërë një shënim për këtë punë dhe e kam lutur që të ketë parasysh këtë gjë dhe nëse diçka e pyet kryetari i qeverisë maqedonase, mund të thoni se nuk jeni aspak në dijeni për këtë gjë. Dhe pikërisht ai (Gruevski) kishte ardhur për këtë punë që të vërtetonte nëse ishin të vërteta ato që thuheshin në Maqedoni për këtë aferë që ka zgjatur me muaj të tërë. Ai mbeti në pushtet. Nuk e hoqëm, por ai kurrë nuk mbeti ai që ishte, sepse edhe sot e kësaj dite respektohet puna që kam bërë.”

Në vend të tyre, vazhdon Bozhidar Spasiq, unë do të kisha thënë: “Bozho na thuaj se çka të duhet për të kryer punë”. Kur e kam lajmëruar kryetarin për rastin e Maqedonisë, veç që nuk më është thënë: Na thuaj se për çka ke nevojë”.

Siç del në mënyrë të qartë edhe kreu i shtetit ishte i gatshëm të futej në sajesa për të kompromentuar shqiptarë.

Unë nuk besoj se një delegacion i përbërë nga katër parti politike shqiptare të ketë shkuar në Beograd për të kërkuar sajesën e një dosjeje të tillë. Por jam i sigurt se disa faqezi kanë paguar një kryeudbash serb të sajojë dosje për të mënjanuar rivalin e vet politik. Madje mund ta përfytyroj surratin e tyre…

Zbulimi i të vërtetës më bën të ndihem mirë, sidomos për faktin se përkundër divergjencave me Ali Ahmetin, nuk e gëlltita çorbën e sajuar në Beograd!