12:39 / E Premte, 12 Janar 2018 / indeksADMonline

Kryeziu: VV e humbi mundësinë për të qenë ndryshe se partitë e tjera

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (IDK), Ismet Kryeziu, e ka komentuar situatën e fundit të krijuar në Vetëvendosje, ku këto ditë pati një ‘valë’ dorëheqjesh.

Ai përmes një postimi në facebook, ka shkruar se Vetëvendosja e ka humbur mundësinë për të qenë ndryshe, dhe për ta bërë diferencën nga partitë e tjera politike, duke shërbyer si model i demokracisë e brendshme, shkruan Indeksonline.

Ky është postimi i plotë i tij:

“Se çka po ndodhë me kryetarin e zgjedhur tashmë të VV-së apo me të dorëhequrit, është pak ose fare me rëndësi.

E rëndësishme është se VV-ja e humbi mundësinë për të qenë ndryshe, për ta bërë diferencën nga partitë politike tjera dhe për të qenë model i demokracisë së brendshme!
Së paku kam menduar, se krahu i të dorëhequrve të jetë më i emancipuar politikisht, ta ketë një kandidat për kryetar, platformë politike, aktivizim e mobilizim të anëtarësisë për diskutime e prezantime të ideve, një fushatë dhe garë aktive brenda VV-së.
Pavarësisht rezultatit dhe zgjedhjes së kryetarit, gara e brendshme zgjedhore do t`i bënte mirë demokracisë së brendshme të subjekteve politike. Në këtë rast jo vetëm VV-së!”./Indeksonline/