16:42 / E Martë, 16 Maj 2023 / LB

Kukuvajkat flasin për të vetëm në ditën e tij

Nakadrat e politikës i ke në gjumë! Ku ishin, ku janë sot – intqelektualët e Kosovës që s’bënë gjë për Ukshin Hotin!

Mbrojtësin e tij, avokatin legjendar dr. Hysni Bytyçin, në banesën e tij në Beograd, huliganët serbë e bëjnë për spital – më 16 mars 2000. Atij i japin azilin politik në Londër.

—-

Nga Agim Muhaxheri

Para 24 vjetësh, më 16 maj 1999, nga burgu i Dubravës, pasi i vuajti pesë vjet burg, ditën e “lirimit” – rrëmbehet intelektuali ynë Ukshin Hoti.

Sot e asaj dite s’dihet gjë për të.

Emrin e tij e ke në listat e të zhdukurve.

Paraardhësit e Aces (Vuçiqit) e rrëmbyen Hotin më 16 maj, ditën e diel. Këtyre palla s’u ha për të.

Palla s’u ha as ndërkombëtarëve…

Nakadrat e politikës sonë kukuvajkat më tepër flasin në ditën e tij…

I flasin murit, bëjnë gara kush është më patriot se tjetri.

Më 3 qershor 1999 kam publikuar shkrimin për të në afro dy faqe gazetë në “Fakti” të Shkupit.

Botuesi i kësaj gazete, Emin Azemi më pati thënë:

“Kur është fjala për Ukshin Hotin, mos u kufizo, shkruaj çdo gjë që di për të…”.

Shkrimi për Hotin, i paralajmëruar në faqen e parë, e dridhi jo vetëm Shkupin.

Procesin e Hotit e kam ndjekur në Gjykatën e Qarkut në Prizren, më 27 e 28 shtator 1994. Kam raportuar për gazetën “Bujku”. Atëbotë kjo gazetë e bën cenzurën – e heq nga raporti im togfjalëshin “Në paraburgosjen time ka gisht edhe një pjesë e LDK-së…”.

Të nesërmën, më 28 shtator, në gjykatore – gjatë një pushimi i kam treguar profesorit për cenzurën…

– Ma ka marr mendja… Megjithëkëtë të falenderohem për ndjekjen e procesit me korrektësi, më tha ai.

Ditën e parë të gjykimit, procesin e kanë ndjekur i biri i tij Andini 8 vjeç dhe nipi Etriti 15 vjeç…

Andini i hedhet në qafë babait të tij.

Kryetarja e trupit gjykues, Nada Haxhiperiq i largoi nga gjykatorja Andinin dhe Etritin për shkak se ishin të mitur…

Dy asistentët e Nades – porotët Ajvaz Xhaferi, i përkatësisë boshnjake dhe Jovan Delimaniq – i bënë gjyqin profesorit.

Dënimi me 5 vjet burg shkaktoi neverinë në gjykatore… Të afërmit e pritën akgjykimin me lot…

Profesori i ngushëlloi të mos qajnë… Dhe në ato çaste duke iu drejtuar publikut ngriti zërin:

Ju qofshin përhajr republikat e bashkuara shqiptare. Republika e Kosovës, deshëm s’deshëm – do të jetësohet…, tërhoqi vërejtjen ai.

Mbrojtësi i Hotit ishte avokati legjendar dr. Hysni Bytyçi, me origjinë nga Semetishti i Suharekës, që e kishte vendbanimin në Beograd…

Nuk e la vet klientin e tij në burgun e Mitrovicës së Sremit, Nishit dhe të Dubravës së Istogut…

Më 16 mars 2000 huliganët serbë futen në banesën e Hysni Bytyçit në Beograd, e sulmojnë duke e lënë pa vetëdije. Ambasada britanike i jep azilin politik. Ai sot rron në Londër.

Për dramën e tij kam shkruar fejtonin në gazetën “Epoka e re”.

I biri i Ukshin Hotit, Andini, ish-deputeti, sot merret me listat e të zhdukurve.