11:55 / E Mërkurë, 21 Qershor 2023 / B O

Kur politika bëhët trishtim gjeografik!

Shkruan, Ganimete Musliu

Muajt e verës 2023 erdhën të shoqëruar me peripecitë e qindra mijëra bashkathetarëve që duan ta vizitojnë atdheun e tyre. Ata iu lanë vetëm alternativa: të paguajnë 500€ për person të kompanitë e fluturimeve ose të bëjnë mijëra kilomatra me makinat e tyre.

Për familjet çmimet e fluturimeve janë të paperballueshme, ndërsa rruga tokësore u është vështirësuar dukshëm nga dy politikanë që përmes nacionalizmit të vërbër synojnë ta mbajnë pushtetin.

Sikur nuk e kanë kuptuar se, nuk janë votuar për
t´ua vështirësuar jetën qytetarëve por për t´u shërbyer atyre. Politikanët si Albin Kurti dhe Aleksander Vuqiç e dinë se asgjë, për sa u përket çështjeve njerëzore, veçanërisht në politikë dhe diplomaci, nuk ngatërrohet aq shpesh sa zgjuarsia dhe maturia. Ndryshimi qëndron në atë që zgjuarësia shikon vetëm nga e tashmja dhe kërkon mjete për të përdorur dhe përfituar nga ajo që është tani, gjë që janë duke e aplikuar me sukses përderisa ka ende të atillë që u shkojnë mbrapa, ndërsa maturia e nxjerr të tashmen nga e kaluara dhe nuk e humb nga sytë të ardhmen e mundshme.

Kosova dhe rajoni kanë nevojë të orjentohen drejt së ardhmës, prandaj edhe na duhen burrështetas të matur, por për të qenë burrshtetas i vërtetë duhet të posedosh tre gjëra: madhështinë në planifikim, humanizmin në zbatim dhe modestinë në sukses.

Në 25 vjet pas luftës Kosova dhe rajoni sa burrështetas të tillë patën?
25 vjet pas lufte sidomos Serbia është udhëhequr nga nacionalistë të papërmirësuar të cilët nuk hezituan të planifikonin dhe të zbatonin vendime të cilat nuk patën as qytetarin e vet në fokus e lërë më qytetarët e rajonit.

Aktualisht Serbia udhëhiqet nga një nacionalist i llojit më të keq i cili të vetmen kartë për të mbetur në pushtet e ka viktimizimin, gënjeshtren dhe krimin.
Kurse Kosova, sot udhëheqet nga një person i cili, politikanët e matur i quan tradhëtarë dhe i cili përveç populizmit nuk posedon as madhështinë konceptuale, as humanizmin në zbatueshmëri dhe as modestinë në sukses.

Kurti dhe Vuqiç sillen sikur shtetet me të cilat udhëheqin i kanë pronë të vete. Parimet e tyre vlejnë vetëm për aq kohë sa nuk vihen në provë; sapo të hidhen në provë ato hidhen tutje pa fijen e konsideratës për pasojat të cilat ua vënë barrë mbi supe qytetarëve.

Një thënie e urtë thotë: „ Ka vetëm një gjë që është më e madhe se sa dëshira për Liri dhe ajo është urrejtja ndaj atyre që synojnë të ta marrin Lirinë“. Në një rajon si i yni është shumë e lehtë të ndezësh nacionalizmin, por e kemi përjetuar se është vështirë ta kontrollojmë, prandaj burrështetasi i mirë duhet të mendoj më përpara se sa rrëmuja që krijojnë llafazanët apo pasioni partiak. Ai duhet t´i shohë shumë më përpara elementët e rrezikut dhe të angazhohet për t´i parnadaluar ato.

Kurti dhe Vuqiçi, jo që mundohen t´i parandalojnë, por ata i prodhojnë vet ato.
E në fushën e lojës së këtyre dy politikanëve të pandërgjegjshëm stërmundohen qytetarët. Sidomos shqiptarët të cilët mezi presin të vijnë për
t´i kaluar pushimet në vendlindje. Kështu ndodhi pak para pushimeve dimërore, kështu po ndodhë edhe tani në prag të sezonës së verës.
Kështu i kthehet respekti mërgatës sonë për gjithë kontributin, për atdhedashurinë që kanë dhe për votat që ua morën?

Sa herë politikanët tanë nuk kanë ide se si të qeveriset dhe se si të zhvillojnë politika zhvillimore, krijojnë rrëmuja që e rrezikojnë jetën e qytetarëve. Shpresa e tyre për pushtet shëndrrohet në trishtim shpirtëror dhe gjeografik për shqiptarët në mes të Evropës. Një Evrope që promovon vlerat e demokracisë, lirive dhe të drejtave njerëzore. Një Evrope të gjunjëzuar para një demagogu si Albin Kurti dhe një nacionalisti si Aleksander Vuqiçi.