16:00 / E Premte, 01 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kurti: Emërimi i Thaçit thelloi krimin dhe kapjen e shtetit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në një konferencë për media, në të cilën ka folur për emërimin e Njazi Thaçit, ushtrues detyre i drejtorit të KEK-ut .

Kurti tha se që nga mbrëmë, u thellua krimi i organizuar dhe kapja e shtetit.

Lideri i VV-së tha se Thaçët dhe PDK-ja, kanë ushtruar pushtet në KEK, nëpërmjet Njazi Thaçit, i cili për një kohë të gjatë sa ishte drejtor i prokurimit, nënshkroi kontrata që gati e kolapsuan këtë kompani publike.

“Raportimet e shumta hulumtuese nga mediat, por dhe nga organizatat e huaja të auditimit kanë treguar për manipulime dhe keqpërdorime të rregullta të Njazi Thaçit në KEK. Në kohën kur shef i prokurimit në këtë zyrë ishte pikërisht z. Thaçi, ndër përfituesit me të mëdhenj në KEK, ishin kompanitë nga Serbia. Për aq sa është zbuluar deri më sot në kohen sa Qeverinë e kishte PDK ja e shef i prokurimit ishte i sapo emëruari U.D i drejtorit në KEK, kompanitë serbe përfituan rreth 400 milionë euro vetëm deri në vitin 2013. Duke i llogaritur dhe blerjet e energjisë, të cilat që nga paslufta e deri në vitin 2013, patën arritur shumën deri në 365 milion euro, pra janë përfitues kompanitë nga Serbia të atyre së paku atyre 400 milionë euro vetëm nga KEK-u. Pra nga mbrëmë mund të themi se është thelluar krimi i organizuar e kapja e shtetit të Kosovës, në epiqendër të së cilit ndodhet pikërisht presid enti aktual”, tha ai.

Kurti më tej tha se Nijazi Thaçi, i cili është një eksponent i krimit të organizuar në Kosovë, u avancua dhe se kontrolli në shtetin e kapur, po rritet nëpërmjet pozitave të tilla, ku nuk ka njerëz kompetent, e të ndershëm, por familjarë të zyrtarëve të majave të institucioneve të sistemit..

“Aty ku KEK-u nuk është i privatizuar, aty KEK është i familjarizuar. Aty që nuk e shiten i vendosen kushërinjtë e tyre. Ky është krim i organizuar, në krye të këtij krimi të organizuar qëndron presidenti.Por sot duhet ta theksojmë që në Kosovë në të cilën ka mijëra ekonomist e inxhinier, patriot e të ndershëm, njerëz të këtij vendi, u përzgjodh pikërisht më i korruptuari që të bëhet U.D sepse është kushëri i presidentit. ”, tha Kurti

Ndërkaq, Avni Zogiani foli për orientimin e fondeve drejt kompanive serbe në kohën sa kushëriri i Hashim Thaçit, Njazi Thaçi ishte udhëheqës i Prokurimit.

“Agjencioni i Auditorit të BE-së, OLAF, sidomos blerjen e energjisë e pat konsideruar si shumë të dyshimtë. Për shkak se kjo blerje kryesisht është bërë nën monopolin e disa personave dhe disa organizatave, përkatësisht bizneseve të cilat kanë qenë pronë e dy biznesmenëve të njohur serb të cilët në një kohë të caktume i kanë njohur dhe si mafia ballkanike e energjisë, përkatësisht Vuk Hamoviq dhe Damir Fazliq..Mund të gjeni referenca të mjaftueshme. Z.Damir Fazlliq është nip, çun motre i ish shefit të UDb-së Jovica Stanishiq. Kemi të bëjmë me një lidhje direkte të personave me ndikim në serbi, nëpërmjet familjarëve të tyre, të cilët më vazhdimësi kanë siguruar kontrata nga autoritet e Kosovës. e këto kontrata janë rritur sidomos në kohen kur Qeverinë e ka marrë PDK-ja…Në njërën anë, kompanitë serbe kanë marrë shuma të mëdha për shitjen e energjisë elektrike, e në anën tjetër , si shef i Prokurimit në KEK, U.D të drejtorit aktual të KEK-ut z. Njazi Thaçi ka dhënë tender të mëdhenj, të majm për kompanitë serbe”, tha ai.

Zogiani po ashtu tha se Njazi Thaçi, gjatë karrierës së tij si zyrtar i KEK-ut, ka shpërblyer me tenderë edhe familjarët e deputetëve të PDK-së. Sipas tij familja e deputetit Shaip Muja, nëpërmjet kompanisë “Doni” dhe “Ci-Kos”, pronë e Fatmir Mujës, vëllait të Shaipi Mujës, është e kontraktuar për shitjen e skrapit të KEK-ut, ku Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur një sërë parregullsish.