22:32 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

Kurti i vetmi kandidat për ta marr timonin e VV-së

Ka pothuajse 4 orë që ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, por askush tjetër veç Albin Kurtit nuk ka kandiduar për kryetar të kësaj partie.

Burime të “Indeksonline” nga Vetëvendosje bëjnë me dije se deri më tani (ora 22 e 30) asnjë anëtar tjetër i Lëvizjes nuk ka shprehur kandidaturën e tij/saj për ta marr timonin e VV-së. Afati për të paraqitur kandidaturat skadon sonte në mesnatë.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur sot LVV ka diskutuar për ngjarjet e fundit që çuan deri në përçarjen brenda partisë e që rezultuan edhe me shumë dorëheqje.

Kujtojmë se Kurti bashkë me deputeten Donika Kadaj-Bujupi janë liruar para pak javësh nga paraburgimi, e ku po mbaheshin për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kohës sa Kurti ishte në paraburgim, një bisedë e “Viber-it” e dalë në publik kishte sjellë reagime të ashpra në mesin e anëtarëve të Vetëvendosjes. Aty, tashmë ish-anëtarja e VV-së, Aida Dërguti e kishte quajtur Albin Kurtin “m…”. Sjellja e saj i ndau në dysh anëtarët e Lëvizjes.

Ndërkaq, i pari që shënoi dorëheqjen nga VV-ja ishte vet kryetari i saj, Visar Ymeri, duke vazhduar me Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Faton Topalli, Qëndron Kastrati, e të tjerë./Indeksonline/