10:40 / E Enjte, 22 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kurti: Kosova ka dështuar me lobimin për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare  

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se shteti i Kosovës nuk është duke funksionuar.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme për Politikë të Jashtme, Kurti ka thënë se presidenti ka hedhur në gjyq kryeministrin për dy çështje, përderisa edhe Kuvendi e ka në dy gjyqe presidentin.

Pos kësaj, sipas Kurtit megjithëse janë dhënë miliona euro për lobim Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizata të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë atë të Interpolit, dy ditë më parë.

“Kosova praktikisht nuk është duke funksionuar. Presidenti e ka hedhur në gjyq edhe kryeministrin edhe Kuvendin. Edhe kuvendi e ka në dy gjyqe presidentin, janë dy komisioni hetimore parlamentare që po merren me presidentin. Askush nuk të merr seriozisht kur të sheh ashtu. Qysh moti na kanë premtuar njohjen nga Serbia, anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare por nuk janë bërë asnjëra. Kjo ndodh sepse politika e jashtme është politikë e brendshme, ajo nuk bëhet për arenën ndërkombëtare por për ndonjë votë në zgjedhjet e radhës brenda Kosovës. Në anën tjetër politika e brendshme është edhe e jashtme. Miliona janë dhënë për lobim për misionet e dështuara kur pagat mesatare nuk janë as 300 euro, ndërsa paga minimale është mbi 100 euro. Përfaqësuesit tanë shkojnë pa përgatitur në takime, dhe lobojnë si ua merr menja personave që përfaqësojnë”, ka thënë Kurti./Indeksonline/